Jehona Grantolli
Zëvendës/Kryesuese e Këshillit Prokurorial të Kosovës
Jehona Makolli Grantolli u lind me 25.10.1983, në Prishtinë.
Diplomoi në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës si Bachelor i Drejtësisë në vitin 2007, ndërsa studimet pasuniversitare i kreu në vitin 2011, në Drejtimin Penal dhe mbrojti temën me titull “Institucionet penitensiare dhe respektimi i të drejtave të personave të dënuar gjatë ekzekutimit të dënimit me heqje të lirisë ose me burgim në Kosovë ”, me ç’rast fitoi titullin Master i Shkencave Juridike Penale.
Në periudhën kohore 2007-2008 përfundoi praktikën juridike në Gjykatën Komunale në Prishtinë, ndërsa pas përfundimit të sudimeve pasuniversitare në periudhën kohore 2011-2012 përfundoi praktikën juridike profesionale në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.
Nga fillimi i vitit 2013 punoi si juriste në një shoqëri tregtare. Nga shtatori i vitit 2013 punoi në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Në vitin 2014 përfundoi Provimin e Jurisprudencës.
Nga viti 2015 punoi si Ndihmëskoordinatore për Rajonin e Prishtinës nga radhët e prokurorëve të shtetit në kuadër të Forumit të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve të Kosovës dhe së bashku me të tjerët ndërmoi shumë aktivitete për sensibilizimin e të rinjve në veçanti femrave të reja për dhunën në familje dhe barazinë gjinore, me theks të veçantë në të drejtën e femrave në trashëgimi.
Më 1 dhjetor 2016, nga Presidenti i Republikës së Kosovës u dekretua Prokurore e Shtetit të Republikës së Kosovës, ndërkaq më 20 nëntor 2019, nga Presidenti i Republikës së Kosovës u dekretua me mandat të përhershëm Prokurore e Shtetit të Republikës së Kosovës.
Nga data 15 prill 2020 deri më 31 dhjetor 2023 ushtroi pozitën e Udhëheqëses së Departamentit të Përgjithshëm në Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Më 1 janar 2021 u votua dhe u zgjodh nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, anëtare e Këshillit Prokurorial të Kosovës, me mandat 5-vjeçar.
Më 30 janar 2024 u zgjodh Zëvendëskryesuese e Këshillit Prokurorial të Kosovës.