Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Diskutohet bashkërendimi i aktiviteteve të projektit britanik për fuqizimin e sistemit prokurorial

Prishtinë, 9 shkurt 2021 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Jetish Maloku, i shoqëruar nga Drejtori i Sekretariatit të KPK-së, Lavdim Krasniqi, ka pritur në takim Drejtorin e Projektit britanik “Forcimi i sistemit gjyqësor në Kosovë”, Ken Taylor dhe ekspertin për Zhvillim Institucional, David Wells.

Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i ndërsjellë për rrjedhat e mëtejshme të zbatimit këtij projekti të rëndësishëm dhe vlerësimi i progresit të arritur, si dhe bashkërendimi i aktiviteteve të ardhshme që do të zhvillohen në kuadër të fuqizimit të kapaciteteve të sistemit prokurorial.

Me këtë rast, Kryesuesi Maloku, falënderoi përfaqësuesit e projektit britanik për mbështetjen e vazhdueshme për ngritjen e kapaciteteve dhe cilësisë së shërbimeve që ofron sistemi prokurorial i Kosovës. “Me ketë rast, shpreh gatishmërinë time për bashkëpunim të ngushtë dhe, natyrisht, se në vëmendjen tonë të plotë do të jenë prioritetet e përbashkëta për fuqizimin profesional dhe të sektorëve administrativë të KPK-së dhe Prokurorit të Shtetit”, tha Kryesuesi Maloku.   

Përfaqësuesit e këtij projekti njoftuan Kryesuesin e KPK-së lidhur me Konceptdokumentin për reformën e administratës së sistemit prokurorial dhe konfirmuan mbështetjen profesionale për hartimin e akteve nënligjore dhe ngritjen e kapaciteteve administrative të sistemit prokurorial.

Bashkëbiseduesit u pajtuan për të identifikuar bashkërisht çështje dhe sfida të ndryshme, me të cilat do të ballafaqohet Këshilli dhe Prokurori i Shtetit, në mënyrë që të harmonizohen dhe koordinohen veprimet e ardhshme për adresimin efikas të tyre.