Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër gjashtë të pandehurve për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin

Prishtinë, 4 dhjetor 2015 - Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prshtinë, kundër të pandehurve: B.L., G.H., B.I., M.H. dhe E.L., për veprën penale: Përgatitja e veprave terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë se Republikës së Kosovës, nga neni 144 par. 4 lidhur me par. 1, lidhur me nenin 145 dhe nenin 135 par. 1 nën par. 1.7 të  Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe kundër të pandehurit F.M. për veprën penale: Ndihma në kryerjen e veprës penale të terrorizmit, nga neni 137 par 2 lidhur me nenin 388 të par.1.të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, me datën 10 korrik 2015 në orët e vona të natës, sipas marrëveshjes paraprake, të pandehurit kanë shkuar tek liqeni i Badovcit, që me ikonografin e terrorit të organizatës terroriste ISIS, ta incizojnë një video propaganduese, në të cilën kanë pasur për qëllim që ta lexojnë betimin ndaj udhëheqësit të organizatës terroriste ISIS dhe ta publikojnë këtë video në internet, për të dëshmuar para botës për shtrirjen e të ashtuquajturit “Shteti Islamik” (ISIS) në Republikën e Kosovës.

Me këtë qëllim të pandehurit janë pajisur me pushkë automatike AK 47 me bajonetë, me pesë karikatorë dhe 32 fishekë, si dhe me uniforma ushtarake, maska për fytyrë, dorëza dhe me flamurin e organizatës terroriste ISIS.

Të pandehurit pasi janë ndalur në afërsi të digës së liqenit, janë vërejtur nga rojtarët e liqenit, të cilët e kanë ftuar Policinë e Kosovës, e cila ka arritur në vendin e ngjarjes dhe i ka arrestuar të pandehurit B.L., E.L. dhe M.H., ndërkaq, të pandehurit G.H. dhe B.I. janë arratisur nga vendi i ngjarjes, të ndihmuar nga i pandehuri F.M..

Andaj me këto veprime të pandehurit kanë kryer veprat e lartëcekura penale. 

Me të njejtën aktakuzë të pandehurit B.L. dhe M.H. janë akuzuar edhe për veprën penale: Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, nga neni 374 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza është ngritur nga një prokurore vendëse e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë për veprat e kryera penale dhe të dënohen sipas ligjit.