Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Ambasada norvegjeze vazhdon mbështetjen e sistemit prokurorial në luftë kundër korrupsionit

Prishtinë, 4 dhjetor 2015 - Kryeprokurori i Shtetit, Aleksander Lumezi, sot ka pritur në takim Ambasadorin e Norvegjisë në Kosovës, Jan Braathu, i cili ishte i shoqëruar edhe nga zëvendësja e tij, Kathrina Ramberg.

Gjatë këtij takimi është diskutuar për sistemin e drejtësisë në Kosovë, në veçanti për atë prokurorial, ku ambasadori Braathu ka ofruar mbështetjen e ambasadës norvegjeze për ngritjen e kapaciteteve profesionale të institucioneve të drejtësisë.

Ambasadori Braathu ka thënë se ambasada norvegjeze është e interesuar që përmes projektit: “U4 Anti-Corruption Resource Centre” (Qendra Burimore e Antikorrupsionit), të mbështes me anë të trajnimeve për luftën kundër korrupsionit prokurorët dhe stafin e tyre mbështetës.

Ndërsa, kryeprokurori Lumezi pasi ka falënderuar ambasadorin Braathu për mbështetjen e vazhdueshme që shteti norvegjez është duke e dhënë për sistemin e drejtësisë në Kosovë, në veçanti për sistemin prokurorial, ka thënë se një projekt i cili do të profesionalizonte më shumë prokurorët në luftën kundër korrupsionit, është i mirëseardhur për të si Kryeprokuror, por dhe për sistemin prokurorial në përgjithësi.

Në takim u bisedua edhe për projektin “TIK SMIL”, (TIK–Teknologjia e informacionit dhe komunikimit. SMIL–Sistemi i menaxhimit informativ të lëndëve). Ky projekt i cili mbështetet nga ambasada norvegjeze është në implementim e sipër dhe ku si objektiv kryesor ka lehtësimin e punës dhe ngritjen e efikasitetit në bashkëpunimin profesional  në mes të dy sistemeve.

Kryeprokurori Lumezi duke vlerësuar punën që është duke u bërë përmes projektit “TIK SMIL”, ka thënë se pas përfundimit të këtij projekti, koordinimi i punëve të përbashkëta profesionale në mes të sistemit prokurorial dhe atij gjyqësorë, do të jetë më i lehtë dhe më efikas.