Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Enver Hasani për veprat penale: Falsifikimi i dokumentit zyrtar dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar

Prishtinë, 13 janar 2016/ Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër të pandehurit Enver Hasani, për kryerjen e veprave penale: Falsifikimi i dokumentit zyrtar, nga neni 434 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422  par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, si dhe ka pushuar hetimet për një vepër penale, për të cilën ka qenë duke u hetuar.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Enver Hasani, në cilësinë e personit zyrtar – kryetar i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës, më dashje, duke e shfrytëzuar në mënyrë të kundërligjshme pozitën dhe autorizimin zyrtar me rastin e vendosjes për kërkesën e Presidentes së Republikës së Kosovës, lidhur me dekretin e saj, që kishte të bënte me emërimet e gjyqtarëve ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, duke vepruar  në kundërshtim me autorizimet e tij zyrtare, në mënyrë të kundërligjshme ka vendosur lidhur me rastin KO-155/14, duke nxjerrë aktvendim për papranueshmëri, nga i cili kanë përfituar në mënyrë të kundërligjshme mandatet shtesë si gjyqtarë ndërkombëtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës, tre persona.

Gjithashtu, i pandehuri Hasani, me dashje ka shënuar të dhëna të rreme në aktvendimin e njëjtë mbi papranueshmëri, duke e shënuar në faqen e parë të këtij aktvendimi edhe emrin e një gjyqtari, si pjesëmarrës në trajtimin e kësaj çështje kushtetuese, i cili nuk kishte marrë pjesë në trajtimin e kësaj çështje.

Andaj me këto veprime i pandehuri ka kryer veprat e lartëcekura penale. 

Po sot Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kundër të pandehurës Arta Rama-Hajrizi, në mungesë të provave i ka pushuar hetimet, për veprën penale: Falsifikimi i dokumentit zyrtar nga neni 434 par.1 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Aktakuza është ngritur nga një prokuror vendës i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i cili i ka propozuar gjykatës që të pandehurin ta shpallë fajtor për veprat e kryera penale dhe ta dënojë sipas ligjit.