Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, takoi Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë, Adriatik Llalla

Prishtinë, 21 janar 2016 / Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Enver Peci dhe nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z. Lulzim Sylejmani, po qëndrojnë në Republikën e Shqipërisë.

Në kuadër të kësaj vizite kryeprokurori Lumezi është pritur nga homologu i tij shqiptar, Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, me të cilin është biseduar lidhur me organizimin e sistemit prokurorial në Republikën e Kosovës dhe me organizimin e sistemit prokurorial në Republikën e Shqipërisë.

Në këtë takim, gjithashtu është biseduar edhe për bashkëpunimin në mes prokurorive të dy vendeve në luftën kundër krimit të organizuar transnacional, luftën kundër terrorizmit, luftën kundër korrupsionit, për vështirësitë në procese hetimore, gjithashtu për vështirësitë dhe sfidat me të cilat ballafaqohen dy sistemet prokuroriale.

Me qëllim të ngritjes së kapaciteteve dhe funksionalizimin e Zyrës ndërlidhëse për përgjimin e telekomunikimeve, kryeprokurori Lumezi dhe prokurori Llalla ndër të tjera biseduan edhe për organizimin dhe funksionimin e Zyrës për përgjime ligjore, e cila vepron në kuadër të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm.

Gjatë këtij takimi kryeprokurori Lumezi e ftoi homologun e tij shqiptar dhe ekipin e tij, për vizitë pune në prokuroritë e vendit tonë, për të shkëmbyer përvojat e prokurorive të dy vendeve në luftën kundër kriminalitetit, me qëllim të rritjes së efikasitetit të sistemit prokurorial të Kosovës.

Të dy kryeprokurorët u pajtuan se do të angazhohen të punojnë për thellimin e bashkëpunimit në mes sistemit prokurorial të Republikës së Kosovës dhe sistemit prokurorial të Republikës së Shqipërisë.