Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ushtruar ankesë kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë PPR.KR.nr. 130/15 të datës 17 dhjetor 2015

Prishtinë, 4 shkurt 2016/ Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, ka ushtruar ankesë në Gjykatën e Apelit, kundër aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin kjo Gjykatë e ka refuzuar kërkesën e kësaj prokurorie për zbatimin e mundësisë hetuese të veçantë, në rastin e të pandehurit Enver Hasani. 

Ankesa është ushtruar për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, të cilat kanë mundur të ndikojnë në nxjerrjen e ligjshme të vendimit gjyqësor.

Poashtu për shkak të shkeljes së Kodit Penal të Republikës së Kosovës përkitazi me interpretimin e Gjykatës, lidhur me imunitetin funksional të të pandehurit, si dhe për shkak të vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike.

Sipas ankesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, i pandehuri Enver Hasani nuk ka vepruar brenda fushës së përgjegjësive si gjykatës dhe kryetar i Gjykatës Kushtetuese, për të cilat gëzon imunitet funksional, por ka ndërmarrë veprime, me të cilat ka dalë jashtë funksionit të vet, duke e keqpërdorur detyrën dhe autorizimet, të cilat i janë besuar me ligj dhe me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Gjykata Themelore në Prishtinë i ka dërguar prokurorisë aktvendimin mbi refuzimin e kërkesës për zbatimin e mundësisë hetuese të veçantë më datën 1 shkurt 2016, edhe pse ky vendim është nxjerr qysh me datën 17 dhjetor 2015, respektivisht pasiqë prokuroria më datën 22 dhjetor 2015 e ka intervistuar drejtpërdrejt dëshmitarin Robert Carolan dhe pasi që më datën 13 janar 2016 ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit Enver Hasani për vepër penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar, nga neni 422 par. 1 të KPRK-së dhe veprën penale: Falsifikimi i dokumentit zyrtar, nga neni 434 par. 1 të KPRK-së.

Sipas vlerësimit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës kërkesa për zbatimin e mundësisë hetuese të veçantë nuk është më objekt i shqyrtimit, ngase prokuroria ka siguruar dëshminë e dëshmitarit Robert Carolan me intervistimin e tij të drejtpërdrejtë dhe pas sigurimit të provave të tjera relevante ka ngritur aktakuzë.

Prandaj, Prokuroria Speciale i propozon  Gjykatës së Apelit që ta aprovoj ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës si të bazuar dhe të anuloj Aktvendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë- Departamenti për krime të rënda, PPRK nr. 130/15 të datës 17 dhjetor 2015, si dhe të konstatoj se në rastin konkret i pandehuri Enver Hasani nuk gëzon imunitet funksional.