Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

ËSHTË MBAJTUR TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS

Prishtinë, 26 qershor 2015 - Është mbajtur takimi i njëqind i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës njëherit edhe kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Gjatë këtij takimi anëtarët e Këshillit Prokurorial pas diskutimeve themeluan komisionin për rikonsiderim për Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës dhe komisionin për rikonsiderim për Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit. Anëtarë të komisionit për ZKPSH u caktuan: Idain Ismailji, Jusuf Mejzini dhe Bedrije Alshiqi. Ndërkaq, në komisionin për PSRK-në anëtarë u caktuan Idain Ismailji, Laura Pula dhe Xhevdet Bislimi. Po ashtu, anëtarët e KPK-së, themeluan komisionin për rikonsiderim edhe për prokurorë për integrimin e komunitetit jo shumicë-serb, në përbërje nga: Teki Bokshi, Radica Milic dhe Claudio Pola.

Gjatë këtij takimi koordinatori kombëtar për Krime ekonomike, Shqipdon Fazliu, ka paraqitur raportet tre mujore për periudhën tetor-dhjetor 2014 dhe janar – mars 2015. Anëtarët e KPK-së, pasi vlerësuan lartë këto raporte, duke e përgëzuar koordinatorin Fazliu për punën e kryer aprovuan raportet e paraqitura nga koordinatori Fazliu. Këshilli Prokurorial i Kosovës pas diskutimeve të shumta aprovoi edhe raportin vjetor të Këshillit Prokurorial të Kosovës për vitin 2014. Në këtë takim u shqyrtua edhe paraqitja e dorëheqjes së Ehat Miftaraj, nga pozita e drejtorit të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorëve.

Para se të pranohet kjo dorëheqje me kërkesë të anëtarëve të KPK-së u ftua, prokurori Bahri Hyseni, kryetar i komisionit, të themeluar me vendim të KPK-së, më 13 maj 2015, i cili ka pasur për detyrë përgatitjen e opinionit ligjor lidhur me mandatin e drejtorit të sekretariatit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe mandatin e drejtorit të Njësitit për vlerësim të performancës së prokurorëve, që të paraqes të gjeturat dhe rekomandimet e këtij komisioni.

Prokurori Hyseni, pasi bëri analizë të detajuar të të gjeturave për mandatin e drejtorit të Njësitit për vlerësim të performancës së prokurorëve, njoftoi se Komisioni i rekomandon KPK-së që të merr vendim për shpalljen e konkursit për këtë pozitë ose të përcaktohet për vazhdimin e mandatit edhe për tre vite, duke formuar paraprakisht një komision për vlerësimin e përformancës dhe pastaj në bazë të rekomandimeve të atij komisioni të vendos vazhdim apo jo të kontratës së drejtorit të këtij njësiti, Ehat Miftaraj. Anëtarët e KPK-së pasi dëgjuan rekomandimet e komisionit, vendosën që të aprovojnë dorëheqjen e Ehat Miftaraj nga pozita e drejtorit të Njësitit për vlerësim të performancës së prokurorëve, si dhe autorizuan kryeprokurorin e Shtetit, që të caktoj ushtruesin e detyrës për këtë pozitë, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri.

Po sot, kryeprokurori Lumezi caktoi për ushtrues të detyrës, Naser Hasanin, menaxher i Zyrës së Statistikave në kuadër të Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorëve dhe Prokurorive në KPK. Në fund të këtij takimi u diskutua edhe për përbërjen e re të KPK-së, në bazë të ndryshimeve të ligjit për KPK-në që hyn në fuqi më 1 janar 2016. Lidhur me këtë çështje u vendos që të mbahet takim i veçantë ku anëtarët e Këshillit Prokurorial do të diskutojnë dhe analizojnë ndryshimet e parapara me këtë ligj.