Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi i KPK-së takon anëtarët prokurorë të Grupit punues për hartimin e Strategjisë për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës

Prishtinë, 21 janar 2019 – Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, i cili njëherësh ka qenë edhe anëtar i Grupit punues për hartimin e Strategjisë për trajtimin e rasteve të krimeve të luftës, ka mbajtur një takim me anëtarët prokurorë të këtij grupi, Prokurorin e Shtetit, Besim Kelmendi dhe Prokuroren e Shtetit, Drita Hajdari, për të diskutuar finalizimin e këtij dokumenti të rëndësishëm institucional.

Me këtë rast, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka theksuar nevojën e përmbylljes së kësaj strategjie, e cila do të jetë në funksion të plotë të mekanizmave përkatës të Prokurorit të Shtetit. “Dëshiroj t’ju falënderoj për kontributin tuaj të vyer në hartimin e kësaj strategjie, por edhe për punën dhe përpjekjet e përbashkëta për ta pasur një akt të tillë në rrugën që kemi përpara”, sepse ai mishëron dhe promovon bindjen tonë të plotë se viktimat e rasteve të krimeve të luftës kërkojnë drejtësi dhe duhet ta kenë atë sa më parë”, ka thënë Kryesuesi Hyseni para anëtarëve prokurorë të këtij grupi.

Nga ana tjetër, anëtarët prokurorë të Grupit punues, kanë potencuar se është bërë një angazhim i shtuar dhe i harmonizuar në këtë drejtim dhe se zbatimi i kësaj strukture strategjike është një sfidë e përbashkët e agjencive ligjzbatuese - Prokurorit të Shtetit dhe Gjyqësorit.