Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Krerët e sistemit prokurorial dhe gjyqësor takojnë përfaqësuesit e Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Italisë

Prishtinë, 7 maj 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, së bashku me Kryesuesin e Këshillit Gjyqësor, Skënder Çoçaj, ka takuar Nënkryetarin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Italisë, David Ermini, si dhe Ambasadorin e Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi.

Qëllimi i këtij takimi ishte thellimi i bashkëpunimit në dritën e angazhimeve dhe zhvillimeve të ardhshme në fushën e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, me ç’rast  në këtë kontekst, Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka thënë se sistemi prokurorial i Kosovës ka përfituar shumë nga Projekti i binjakëzimit të BE-së për fuqizimin e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit prokurorial dhe gjyqësor, duke shprehur falënderim të madh për kontributin e veçantë të ekspertëve dhe përfaqësuesve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Italisë dhe Ambasadës së Italisë në Kosovë.

Më tej, edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Skënder Çoçaj, kanë vënë thkesin në arritjen e standardeve të BE-së në fushën e drejtësisë në Kosovë, i cili është synim parësor i të dy Këshillave dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke shprehur bindjen se në këtë mënyrë do të zbatohen përvojat dhe praktikat e mira në punën e përditshme të prokurorëve kosovarë, sidomos sa i përket përparësive që krijon legjislacioni evropian.   

Gjithashtu, krerët e sistemit prokurorial dhe gjyqësor, theksuan se janë implementuar rekomandimet konkrete, të cilat janë bërë pjesë e legjislacionit sekondar, përfshirë këtu strategjinë e komunikimit publik, e cila ka reflektuar në ngritjen e efikasitetit, transparencës dhe llogaridhënies, por edhe shkëmbimi i përvojave nga vizitat dhe trajnimet e prokurorëve dhe stafit administrativ, të realizuara përmes këtij projekti, kanë ndikuar që të kemi rezultate më të mira në punën e përditshme.

Nga ana tjetër, Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë së Italisë, David Ermini dhe Ambasadori i Italisë në Kosovë, Piero Cristoforo Sardi, kanë thënë se ndihen të kënaqur që zhvillimet e këtij projekti ka qenëpozitive dhe dobiprurëse për sistemin kosovar të drejtësisë, duke shprehur zotimin se sapo të jepet mundësia tjetër do të fillojnë projektet e reja dhe jo vetëm të vazhdojnë, por edhe të thellojnë bashkëpunimin e deritashëm.

Projektin e binjakëzimit të BE-së për fuqizimin e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë e kanë realizuar partnerët implementues: Këshilli i Lartë Italian i Gjyqësorit  në bashkëpunim me Ministrinë e Drejtësisë së Italisë dhe Ministrinë e Drejtësisë së Francës.

Ky projekt ka ndihmuar në ngritjen e kapaciteteve të punës së anëtarëve të të dy Këshillave, gjyqtarëve dhe prokurorëve, personeleve administrative, SMIL, hartimin e dokumenteve strategjike dhe përkrahjen e mundësive të barabarta për minoritetet, sistemin disiplinor dhe avancimin e koordinimit të komunikimit mes KPK-së dhe KGJK-së.