Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hajdaraj: Projektet dhe aktivitetet e përbashkëta me Zyrën e BE-së ndikojnë në avancimin dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Kosovë

Prishtinë, 7 shkurt 2024 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, së bashku me Zëvendëskryesuesen e KPK-së, Jehona Grantolli dhe Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi, zhvilloi një takim njohës me Shefin e Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Tomas Szunyog, së bashku me bashkëpunëtorët e tij.

Gjatë këtij takimi, Kryesuesi Hajdaraj, falënderoi shefin e BE-së, Szunyog, për vizitën dhe angazhimin e vazhdueshëm të Zyrës së Bashkimit Evropian në funksion të fuqizimit të llogaridhënies, transparencës dhe integritetit në sistemin prokurorial në Kosovë.

Me këtë rast, Hajdaraj, tha se bashkëpunimi i afërt dhe bashkërendimi i projekteve dhe aktiviteteve të përbashkëta me Zyrën e BE-së do të vazhdojë më tej, në mënyrë që të kemi rezultate sa më efikase në avancimin dhe fuqizimin e sundimit të ligjit në Republikën e Kosovës.  

Shefi i Zyrës së BE-së uroi Kryesuesin dhe Zëvendëskryesuesen për zgjedhjen e tyre në krye të Këshillit Prokurorial, duke potencuar se koordinimi dhe  zbatimi i projekteve të përbashkëta ka për qëllim arritjen e progresit të nevojshëm në sistemin prokurorial.

Në fund të takimit të sotëm, Hajdaraj dhe Szunyog, shprehën gatishmërinë që përmes angazhimit të përbashkët të ketë rezultate sa më të mëdha që çojnë vendin tonë drejt avancimit në rrugën e integrimit evropian.