Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

MBAHET TAKIMI I RADHËS I KËSHILLIT PROKURORIAL TË KOSOVËS, 9 SHTATOR 2014

Prishtinë, 9 shtator 2014 – Është mbajtur takimi i shtatëdhjetetetë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe njëherësh ushtrues detyre i Kryetarit të Këshillit, Sylë Hoxha.

Gjatë këtij takimi Këshilli Prokurorial themeloi Komisionin për emërimin e 18 kandidatëve për prokurorë në Prokuroritë themelor, si dhe themeloi komisionet për emërimin e prokurorëve në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit dhe në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial bëri ndryshimin e Komisionit për akte normativ, ndërsa shqyrtoi dhe miratoi propozimin e Komisionit për vlerësimin e aplikacioneve për anëtarë të Këshillit Prokurorial të Kosovës nga Shoqëria Civile, me ç’rast anëtarë i KPK-së nga shoqëria civile u zgjodh Florent Muçaj, nga Instituti për Studime Kushtetuese dhe Parlamentare.

Gjatë takimit u shqyrtua dhe u miratua Raporti 6 mujor i punës për vitin 2014 i Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorive lidhur me mekanizmin përcjellës për harmonizimin e raporteve statistikore që kanë të bëjnë me veprat penale karakteristike.

Pikë tjetër e rendit të ditës ishte diskutimi për akomodim të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës në pallatin e Drejtësisë.

Gjithashtu, Këshilli Prokurorial mori vendim për Themelimin e Zyrës për Informim me Publikun në kuadër të Sekretariatit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe për emërimin e Sekretarit të Komisionit Disiplinorë të Këshillit Prokurorial të Kosovës. Ndërsa u vendos që Elez Blakaj, Prokuror në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, të transferohet nga Departamenti i Përgjithshëm në Departamentin për Krime të Rënda.