Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

U mbajt punëtoria për hartimin e Draft Komentarit të Kodit Etik për prokurorë

Prishtinë, 17 janar 2019 – Këshilli Prokurorial i Kosovës në bashkëpunim me Lëvizjen FOL, KDI-në dhe organizatën holandeze – CILC, si dhe me mbështetje të Ambasadës së Holandës në Kosovë, ka organizuar një punëtori për hartimin e draftit të Komentarit të Kodit të Etikës për sjelljen e prokurorëve, në të cilën morën pjesë Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, z.Bahri Hyseni, Zëvendëskryesuesi i KPK-së, z.Arben Ismajli, Zëvendëskryeprokuroja e Shtetit, znj. Sevdije Morina, kryeprokurorët dhe prokurorë të tjerë nga të gjitha prokuroritë e vendit.

Kryesuesi i KPK-së, z.Bahri Hyseni, ka thënë me këtë rast se Komentari i Kodit të Etikës për sjelljen e prokurorëve është një udhërrëfyes i rëndësishëm dhe tejet i çmuar për sjelljen e prokurorëve dhe është një instrument, i cili synon komentimin e pavarësisë, paanësisë, ndershmërisë, profesionalizmit dhe transparencës së prokurorëve të shtetit, vlera këto, që do të sigurojnë besimin e publikut në punën e prokurorëve dhe do të nxisin perceptimin pozitiv të qytetarëve ndaj sistemit prokurorial.

Njëra ndër hartueset e këtij drafti të Komentarit të Etikës për sjelljen e prokurorëve, Zëvendës-kryeprokurorja e Shtetit, znj. Sevdije Morina, ka theksuar se sistemi prokurorial i vendit do të pasurohet edhe me një dokument shumë domethënës, i cili përmban shembuj të ndryshëm për zbatimin e vlerave thelbësore në përputhje me evoluimet dhe zhvillimet e të ardhmes. 

Qëllimi i kësaj punëtorie ishte diskutimi, komentimi dhe sugjerimet për hartimin e një komentari gjithëpërfshirës, i cili ofron udhëzime dhe sqarime relevante për Kodin e Etikës dhe sjelljes profesionale për prokurorë, si dokument parimesh dhe normash morale, i cili është hartuar për të promovuar integritetin e sistemit të drejtësisë.

Komentari do të plotësojë zbatimin e sjelljes së përhershme morale të prokurorëve dhe është në harmoni me nivelet dhe standardet etike të vendeve të BE-së, nga të cilat rrjedhin përvojat dhe praktikat e mira, ndërkaq si një vend shembull i kësaj etike merret Holanda.