Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Koordinohet hartimi i rregulloreve për përgjegjësitë disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve

Prishtinë, 11 prill 2019 – Grupet punuese të Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës për hartimin e akteve nënligjore, në përputhje me Ligjin për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve, kanë mbajtur takim të përbashkët, me ç’rast kanë diskutuar për hartimin e rregulloreve përkatëse për përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

Në këtë takim, në të cilin kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e Ambasadës amerikane, Zyrës së BE-së në Kosovë dhe Projektit të USAID-it, është diskutuar për format dhe metodat e punës, si dhe bashkëpunimin e dy këshillave për hartimin e rregulloreve të lartcekura.

Gjithashtu, në vijim të këtij takimi, pjesëmarrësit thanë se hartimi i rregulloreve për përgjegjësinë disiplinore të prokurorëve dhe të gjyqtarëve është me rëndësi të madhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë, kurse pas hartimit të tyre do të ketë përcaktim të saktë të përgjegjësisë, llogaridhënies dhe transparencës në punën e prokurorëve dhe gjyqtarëve kosovarë.

Grupet punuese të Këshillit Prokurorial dhe atij Gjyqësor të Kosovës janë koordinuar për vazhdimin e punëve deri në hartimin final të këtyre rregulloreve.