Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kapen 75 kilogramë narkotikë dhe ndalohen pesë persona

Prishtinë, 11 nëntor 2021– Prokuroria Themelore në Prishtinë-Departamenti i Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës, kanë mbajtur konferencë për media, me ç’ rast kanë shpalosur detaje nga hetimi dhe realizimi i aksionit në të cilën u konfiskuan rreth 75 kg substancë e llojit marihuanë dhe rezultoi me arrestimin e pesë (5) personave të dyshuar.

Pas ndërmarrjes së një mori veprimesh hetimore nga ana e prokurorit të shtetit në koordinim të plotë me Drejtorinë e Hetimit të Trafikimit me Narkotikë në Prishtinë, si dhe pas aprovimit të urdhërit për kontrollin e shtëpive të të dyshuarve nga gjyqtari i procedurës paraprake, ka rezultuar me arrestimin dhe ndalimin fillimisht të katër (4) personave të dyshuar e më vonë edhe të personit të pestë të përfshirë në këtë rast, nën dyshimin e kryerjes së veprave penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, “Sulmi ndaj personit zyrtar” dhe “Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm”, të parapara sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Të dyshuarit janë ndaluar me aktvendim të prokurorit të shtetit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe ndaj të njëjtëve do të ndërmerren veprime të mëtejme procedurale.

 

Gjatë këtij aksioni janë konfiskuar gjithsej: 74 kg e 944 gr. substancë narkotike e llojit marihuanë, tri (3) vetura, gjashtë (6) celularë, 1602 euro dhe 2780 dinarë, 193 fishekë, një pjesë përbërëse e armës së shkurt dhe një këllëf i revoles. 

 

Vlen të ceket se, i gjithë ky sukses ka ardhur si rezultat i bashkëpunimit të qytetarëve me prokurorinë, andaj, inkurajojmë qytetarët e Republikës së Kosovës, që të paraqiten në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, për ofrimin e informacioneve lidhur me veprimtaritë kriminale, në mënyrë që ne si organ i hetuesisë, t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme hetimore konform Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, ashtu siç është vepruar edhe në këtë rast, në mënyrë që suksesshme t’i luftojmë dukuritë e ndryshme kriminale.