Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi i KPK-së priti në takim njoftues shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë

Prishtinë, 23 prill 2024

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Ardian Hajdaraj, priti në një takim njoftues shefen e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, Mary Ann Hennessey dhe Zëvendësshefin Tankut Soykan.

Fillimisht, Kryesuesi Ardian Hajdaraj uroi për detyrën e re znj.Mary Ann Hennessey, duke shprehur falënderimin e tij për përkrahjen e ofruar nga ana e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, si dhe informoi atë për aktivitetet, prioritetet dhe sfidat e Këshillit Prokurorial gjatë vitit 2024.

Z.Hajdaraj dhe znj. Ann Hennessey, në takimin e sotëm, ndër të tjera, diskutuan edhe për funksionalitetin e Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) dhe për dhunën në familje, veçanërisht për dhunën ndaj grave dhe angazhimin konkret për parandalimin e saj, duke dënuar fuqishëm vrasjet e grave që kanë ndodhur kohëve të fundit në vendin tonë.   

Gjithashtu, shefja e Zyrës së KE-së falënderoi kryesuesin e KPK-së për pritjen, duke e njoftuar për lansimin e një programi të veçantë për trajtimin e të akuzuarve që kanë bërë dhunë ndaj grave dhe për të parandaluar recidivizmin e tyre, duke rritur efikasitetin e luftimit të rasteve të dhunës ndaj grave në Kosovë. 

Bashkëbiseduesit janë shprehur të gatshëm për të vazhduar bashkëpunimin e mëtejshëm ndërmjet Këshillit Prokurorial dhe Zyrës së Këshillit Evropian në Prishtinë, me qëllim të rritjes së efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës publike të sistemit pokurorial të Republikës së Kosovës.