Mbahet Takimi i 246-të i Këshillit Prokurorial
Prishtinë, 11 prill 2024
Këshilli i Prokurorial i Kosovës (KPK), i udhëhequr nga Kryesuesi Ardian Hajdaraj, ka mbajtur Takimin e 246-të me radhë, në të cilin u trajtuan pikat që ishin në rendin e ditës.
Në fillim të takimit të sotëm, anëtarët e Këshillit aprovuan njëzëri propozimin për përgatitjen e përmbledhjes së shkurtuar të procesverbaleve të takimeve të KPK-së, ngaqë, faktikisht, takimet e KPK-së transmetohen çdoherë online dhe fjalimet e plota të secilit anëtarë mund të ruhen dhe gjenden lehtë.
Gjithashtu në vijim të takimit është diskutuar edhe lidhur me vështirësitë e krijuara gjatë trajtimit të lëndëve në Prokurorinë Themelore të Mitrovicës pas dorëheqjes së prokurorëve të komunitetit serb, ku është paraqitur nevoja e plotësimit me prokurorë shtesë. Me këtë rast është aprovuar rekomandimi i Kryesuesit të KPK-së për gjetjen e një zgjidhjeje të përkohshme me anë të transferimit të tre (3) prokurorëve për një periudhë tremujore, çështje kjo, e cila se do të trajtohet në kolegjiumin e radhës së kryeprokurorëve prokurorive të vendit, pastaj do të informohet KPK-ja për të marrë vendim lidhur me këtë çështje.
Gjatë këtij takimi nuk është shqyrtuar propozimi për vendimin për pagën dhe kompensimin e anëtarëve joprokurorë për shkak të mungesës së kuorumit, por do të trajtohet në takimin e radhës së KPK-së, i cili do të mbahet së shpejti.