Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Komisioni për Çështje Normative: Formohen grupet punuese për hartimin e katër draftrregulloreve

Prishtinë, 5 shkurt 2024 - Komisioni për Çështje Normative, i kryesuar nga z.Armend Zenelaj, ka mbajtur takimin e radhës, në të cilin morën pjesë anëtarët, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së dhe përfaqësuesit e UNDP-së dhe Zyrës së BE-së në Kosovë.

Në takimin e sotëm fillimisht është miratuar drafti i Rregullores për Themelimin e Zyrës për Rikthimin e Aseteve, që do të ofrojë ndihmë dhe këshilla në gjurmimin e pasurisë, bashkëpunimin me institucionet financiare dhe bashkëpunimin ndërkombëtar në arritjen e synimeve për kthimin e pasurisë së fituar përmes veprës penale. Me këtë rast, kryesuesi e Komisionit, falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen që kanë dhënë lidhur me draftimin e kësaj rregulloreje dhe komentet e marra gjatë dëgjimit publik janë inkorporuar në draftin që do t’i propozohet Këshillit Prokurorial për miratim.

Po ashtu, Komisioni themeloi grupet punuese për hartimin e akteve normative, të parapara sipas Planit të punës së Komisionit për vitin 2024, kurse në mesin e këtyre drafteve që do të hartohen janë: Rregullorja për Procedurat e Rekrutimit për Pranim në Sistemin Prokurorial, Rregullorja për Klasifikimin e Vendeve të Punës, Rregullorja për Planifikimin e Personelit dhe Rregullorja për Krijimin dhe Përbërjen e Komisionit Disiplinor.