Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet ceremonia e dorëzimit dhe pranimit të detyrës së Kryesuesit të Këshillit Prokurorial

Prishtinë, 1 shkurt 2024 - Me një ceremoni zyrtare, të mbajtur në Këshillin Prokurorial të Kosovës, sot u bë dorëzimi dhe pranimi solemn i detyrës së kryesuesit të KPK-së ndërmjet kryesuesit të deritashëm, z.Jetish Maloku dhe kryesuesit të zgjedhur, z.Ardian Hajdaraj.

Në fjalimin e tij përshëndetës, z.Maloku i uroi suksese kryesuesit të sapozgjedhur, duke theksuar sfidat dhe të arriturat gjatë mandatit të tij trevjeçar dhe, njëkohësisht, falënderoi të gjithë punonjësit e sistemit prokurorial për bashkëpunimin e frytshëm gjatë kësaj periudhe kohore.

Pas pranimit zyrtar të detyrës, Kryesuesi Hajdaraj, duke falënderuar z.Maloku për kontributin, përkushtimin dhe punën e palodhshme gjatë mandatit të tij, nënvizoi se, gjatë punës së tij do të ketë parasysh gjithnjë rëndësinë e pavarësisë së sistemit prokurorial dhe rolin e tij kushtetues e ligjor në shërbim të avancimit të sundimit të ligjit dhe rendit në Kosovë.

Z.Hajdaraj, u zgjodh kryesues në Takimin e 241-të të Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe mandati i tij është dyvjeçar (2024-2025).