Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Diskutohet avancimi dhe intensifikimi i komunikimit me publikun

Prishtinë, 31 janar 2024 – Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (SKPK), z.Sami Istrefi, mbajti një takim me zyrtarët e shërbimit të komunikimit publik në sistemin prokurorial, në të cili mori pjesë edhe Shefi i Kabinetit të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, z.Ardian Nikolla.   

Qëllimi i takimit ishte diskutimi për avancimin, intensifikimin dhe krijimin e një qasjeje të re të komunikimit me mediat dhe publikun në sistemin prokurorial të Kosovës.

Me këtë rast, Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, z.Sami Istrefi, duke shpalosur prioritetet dhe objektivat që kanë të bëjnë me fushën e komunikimit publik, theksoi nevojën që sistemi prokurorial të fuqizojë transparencën nëpërmjet një komunikimi më proaktiv dhe më gjithëpërfshirës me mediat dhe shoqërinë civile, duke iu përshtatur nevojave dhe kërkesave të kohës, sepse një qasje e tillë është e domosdoshme për ngritjen dhe përmirësimin e besueshmërisë dhe perceptimit të publikut për sistemin prokurorial në përgjithësi.    

Po në këtë takim, zyrtarët për komunikim publik paraqiten sfidat dhe nevojat, të cilat i kanë gjatë kryerjes së detyrave zyrtare në funksion të informimit të publikut me punën e Prokurorit të Shtetit.

Në këtë drejtim, kreu i administratës së sistemit prokurorial, z.Istrefi, ka shprehur mbështetjen e tij të plotë për punën dhe angazhimin e zyrtarëve për komunikim publik në sistemin prokurorial, njëkohësisht, ka theksuar gatishmërinë e tij që brenda mundësive ligjore dhe buxhetore t’i adresojë të gjitha sfidat me të cilat përballen këta zyrtarë, në mënyrë që kushtet e tyre të punës të përmirësohen dhe që komunikimi me publikun të jetë në nivelin sa më profesional.