Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i radhës i Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel

Prishtinë, 26 janar 2024 – Komisioni për Buxhet, Financa dhe Personel i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i udhëhequr nga prokurorja Ariana Shajkovci, ka mbajtur takimin e radhës, në të cilin morën pjesë anëtarët e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, Sami Istrefi dhe Udhëheqësja e Departamentit për Buxhet dhe Financa.

Qëllimi i takimit ishte shqyrtimi i Raportit Vjetor Financiar për vitin 2023 dhe Planit të Punës së Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, si dhe shqyrtimi i Planit të Personelit për vitin 2024 dhe trajtimi i një kërkese të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik (ZKKE).

Me këtë rast, anëtarët e Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel miratuan Raportin Vjetor Financiar për vitin 2023, nga i cili rezulton se Këshilli Prokurorial i Kosovës ka realizuar 95.56% të buxhetit total për të gjitha kategoritë ekonomike dhe programet buxhetore dhe pritjet janë që gjatë vitit 2024 të ketë realizim edhe më të madh të këtij buxheti, si dhe kanë miratuar Planin e Punës së Komisionit për Buxhet, Financa dhe Personel, pa ndonjë vërejtje dhe rekomandime shtesë.

Gjithashtu, Komisioni shqyrtoi edhe Planin e Personelit për vitin 2024 dhe trajtoi një kërkesë të Koordinatorit Kombëtar për Luftimin e Krimit Ekonomik dhe vendosi që të njëjtat të kthehen tek njësitë përkatëse për plotësimin dhe ndryshimin e tyre.