Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Diskutohet për cilësinë e të dhënave statistikore në sistemin prokurorial

Prishtinë, 16 janar 2024 - Komisioni për Administrimin e Prokurorive të Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga z.Veton Shabani, së bashku me përfaqësuesit e Njësitit për Shqyrtimin e Performancës së Prokurorisë (NJSHPP) dhe Departamentin e Teknologjisë Informative në Sekretariatin e KPK-së, mbajti  takim me ekspertët e CEPEJ-it, znj.Ellen Van Dael, znj.Lisa Gregoire dhe znj.Stephanie Lefeuvre, të cilat punojnë në kuadër të Projektit të KoSEJ III të Këshillit të Evropës, që ka të bëjë me forcimin e cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë.

Qëllimi  i takimit të sotëm është diskutimi për krijimin e kushteve që nevojiten për të garantuar cilësinë e statistikave të prokurorive të vendit, tha kryetari i Komisionit për Administrimin e Prokurorive të KPK-së, z.Veton Shabani, i cili përshëndeti ekspertet e CEPEJ-it për ofrimin e ndihmës në këtë drejtim dhe shprehu falënderimin e tij për ofrimin e bashkëpunimit konkret në kuadër të këtij projekti të Këshillit të Evropës në Prishtinë.

Gjatë diskutimeve të zhvilluara me këtë rast është theksuar se sistemi prokurorial i Kosovës është jashtëzakonisht i interesuar që të krijojë bazën e suksesit që ndërlidhet standardet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare për mbledhjen, përpunimin dhe ruajtjen dhe shpërndarjen e të dhënave statistikore që dalin nga Sistemi Informativ për Menaxhimin e Lëndëve-SMIL. 

Ekspertët e CEPEJ janë fokusuar në diskutimin për besueshmërinë e statistikave, duke thënë se suksesi i një sistemi prokurorial varet nga cilësia e futjes së të dhënave, kushteve të nevojshme që ofron për futjen e të dhënave në sistemet e krijuara, vendosjen e rregullave kombëtare të kodifikimit për standardizimin e metodave të përdorura për futjen e të dhënave, sepse, sipas tyre, futja e të dhënave duhet të paraprihet nga një përkufizim i parimeve të kodimit që do mund të zbatohen në mënyrë të përpiktë dhe uniforme nga anëtarët e caktuar të stafit, parime këto, që duhet të jenë të detyrueshme dhe të disponueshme në formë të shkruar.

Ajo që ishte me rëndësi gjatë diskutimeve ishte se, përveç transparencës që krijohet nga informacionet statistikore, përdorimi i statistikave të prokurorive të vendit lehtëson veprimet e përmirësimit të cilësisë dhe efikasitetit të drejtësisë,  duke përcaktuar orientimin të qartë në rrugën përpara dhe duke trajtuar kriminalitetin në mënyrë më efikase.

Bashkëbiseduesit në këtë takim i pajtuan që duke punuar me statistika të sakta dhe gjithëpërfshirëse të angazhohen bashkërisht në përmirësimin e transparencës publike dhe për rritjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial, si dhe të identifikojnë nevojat e së ardhmes, me anë të planifikimit strategjik që mundëson marrjen e vendimeve për nevojat e personelit, infrastrukturës dhe teknologjisë.