Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet trajnim për komisionet për vlerësimin e performancës së prokurorëve dhe gjyqtarëve

Prishtinë, 19 dhjetor 2023 - Akademia e Drejtësisë në bashkëpunim me projektin Chemonics, ka mbajtur një trajnim dyditor për komisionet për vlerësimin e performancës në Këshillin Pokurorial dhe Këshillin Gjyqësor, në të cilin me morën pjesë kryesuesit e Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor, Kryetari i Gjykatës Supreme, Ushtruesi i Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurorë dhe kryetarë të gjykatave, gjyqtarë nga Gjykata Supreme, anëtarë të Këshillit Prokurorial dhe Gjyqësor, anëtarë të Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve dhe Gjyqtarëve, inspektorë të lartë gjyqësorë, zyrtarë të statistikave, anëtarë të komisioneve të përhershme në KPK, si dhe udhëheqës të departamenteve të trajnimeve dhe të IT-së dhe zyrtarë ligjorë.

Qëllimi i këtij trajnimi ishte vazhdimësia e ofrimit të trajnimeve për prokurorë dhe gjyqtarë, me qëllim të ngritjes së kapaciteteve të tyre profesionale, prej të cilave kanë rezultuar edhe zhvillimet e kurrikulave trajnuese për anëtarët e këtyre komisioneve.

Me këtë rast, Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku dhe pjesëmarrësit e tjerë nga radhët e të dy Këshillave, vlerësuan lart nevojën për trajnime shtesë dhe specializim për anëtarët e komisioneve për vlerësim të performancës, sidomos për vlerësimin e indikatorëve matës për shkak të vështirësive dhe sfidave, të cilat dalin gjatë zbatimit të Rregullores për Vlerësimin e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve.

Ky trajnim është moderuar dhe udhëhequr nga dy ekspertët britanikë, z. Jonathan Caroll dhe z.Allan Cansick, si dhe nga dy kryetarët e komisioneve për vlerësimin e performancës në KPK, z.Ardian Hajdaraj dhe në KGJK, znj.Teuta Ibrahimi.

Gjatë sesioneve dyditore u diskutuan ndryshimet e nevojshme legjislative të akteve të brendshme, të cilat do t’u mundësonin komisioneve një punë më praktike dhe më të matshme dhe pati diskutime edhe për proceset e vlerësimit dhe ankimimit, vëzhgimit dhe monitorimit në praktikë të prokurorëve dhe gjyqtarëve, paragjykimet e pavetëdijshme, sistemet për mbledhjen e informatave dhe për çështjet e integritetit dhe etikës në sistemin prokurorial dhe gjyqësor.