Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet tryezë e rrumbullakët për trajtimin sa më efikas të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore

Prishtinë, 7 dhjetor 2023 –Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit (ZKPSH), në kuadër të fushatës së përvitshme sensibilizuese “16 Ditët e aktivizimit kundër dhunës në familje, dhunës në baza gjinore dhe dhunës ndaj grave”, organizoi një tryezë të rrumbullakët, në të cilën morën pjesë prokurorët nga ZKPSH-ja, znj.Sevdije Morina, njëkohësisht, Koordinatore për rastet e dhunës në familje në ZKPSH dhe z.Bahri Hyseni, Prokuror në ZKPSH, Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, znj.Shenaj Berisha, mbrojtësit e viktimave dhe përfaqësuesja e Ambasadës Amerikane në Prishtinë.

Qëllimi i mbajtjes së kësaj tryeze ishte diskutimi rreth trajtimit të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore, identifikimit të mekanizmave dhe metodave të përbashkëta dhe rolit të institucionit Prokurorit të Shtetit në luftimin e dhunës ndaj grave, si dhe bashkërendimit dhe koordinimit të mëtejshëm të trajtimit sa më efikas të rasteve të këtyre formave të dhunës.

Gjithashtu, në këtë tryezë, pjesëmarrësit diskutuan edhe për hyrjen në fuqi të Ligjit për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, me ç’rast të pranishmit u informuan për risitë e këtij ligji, duke theksuar se do të ketë angazhim adekuat të mekanizmave të sistemit prokurorial për trajtimin efektiv dhe efikas të këtyre rasteve.

Në përfundim të tryezës, të pranishmit shprehën gatishmëri për të bashkëpunuar dhe koordinuar trajtimin e rasteve të dhunës në familje, në baza gjinore dhe dhunën ndaj grave, si pjesë e përpjekjeve për luftimin e shkeljeve të papranueshme të të drejtave themelore të njeriut.