Lajm - Kpk | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet takimi i Grupit të punës për hartimin e draftit të Rregullores së ZMNV-së

Prishtinë, 1 dhjetor 2023 –Pas formimit të Grupit të punës për hartimin e draftit të Rregullores për Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave (ZMNV), sot është mbajtur takimin i parë i tij, i kryesuar nga prokurori në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit, Bahri Hyseni, në të cilin morën pjesë prokurorët që kanë trajtuar lëndët e dhunës në familje nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Zyrtarja e Lartë Ligjore në OPDAT në Ambasadën Amerikane, Benina Kusari dhe zyrtarët nga radhët e KPK-së, ZKPSH-së dhe ZMNV-së. 

Me këtë rast, anëtarët e këtij grupi diskutuan për draftin e Rregullores për Zyrën për Mbrojtje dhe Ndihmë Viktimave, duke vënë theksin në rolin dhe rëndësinë e ZMNV-së për ofrimin e mbrojtjes dhe ndihmës së viktimave të krimit, me ç’rast u tha se ky mekanizëm i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit ka krijuar përparësi të konsiderueshme për vendin tonë në aspektin e mbrojtjes së të drejtave të viktimave në krahasim me vendet e tjera të regjionit.

Andaj, gjatë diskutimeve të sotme, u tha se gjatë punës nevojitet përditësimi i konsiderueshëm i draftit të kësaj rregulloreje, në mënyrë që të jetë në harmoni me ndryshimet ligjore, zbatimi i të cilit pas miratimit nga komisioni përkatës dhe procedimit të tij për miratim në KPK, do të ndikojë në fuqizimin e mëtejshëm të mbrojtjes dhe ofrimit të ndihmës për viktimat e krimit në Republikën e Kosovës.