Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, me rastin e mbajtjes së Konferencës Vjetore të Prokurorëve (VIDEO)

22 janar 2021

Mirëmëngjesi.  Fillimisht, më lejoni të falënderoj kryeprokurorin e shtetit Lumezi për ftesën për të folur sot gjatë konferencës vjetore të prokurorëve.  Fakti që sërish po ju drejtohem në mënyrë virtuale vetëm na i përkujton sërish testet e ndryshme me të cilat po përballemi gjatë kësaj kohe të padëgjuar.  Për fat të keq, nuk po flas vetëm për ndikimin e pandemisë.

Sot, nuk po kërcënohet vetëm shëndeti ynë, por edhe vetë demokracia.  Si të gjithë ju, edhe unë u trondita nga ngjarjet e kohëve të fundit në Uashington. Dhuna politike e 6 janarit ishte përkujtuese e zymtë e brishtësisë së demokracisë, rëndësisë së sundimit të ligjit dhe rrezikut të gënjeshtrave dhe keqinformatave.

Por, përkundër dhunës dhe përpjekjeve tjera për t’i përmbytur zgjedhjet tona, institucionet tona rezistuan dhe bartja e pushtetit po vazhdon në përputhje me Kushtetutën tonë. Jam i bindur se Amerika do të dalë më e fortë se kurrë nga kjo periudhë kritike, por përpara nesh ende kemi edhe shumë punë dhe shumë dhimbje.

Sadoqoftë shqetësuese ishin këto ngjarje, kjo nuk është hera e parë që vlerat dhe institucionet tona demokratike janë testuar. Më duket e udhës t’i kthehem historisë për udhëzime.  Një vegëz e përbashkët gjatë historisë, që është e vërtetë në vendin tim dhe tuajin, është se kohët e rrezikshme kërkojnë vepra të jashtëzakonshme nga individët e zakonshëm.

Individët si Anton Çetta, këtu në Kosovë.  Si antropolog, z. Çetta punoi për të ruajtur trashëgiminë e pasur kulturore dhe historinë e Kosovës.  Megjithatë, ai e kuptonte se disa tradita nuk përputheshin me të ardhmen demokratike të Kosovës. Për këtë arsye, e nën kërcënimin e madh personal dhe ndaj familjes së tij, z. Çetta punoi palodhshëm për të arritur paqe ndërmjet familjeve dhe për t’i dhënë fund brezave të tërë të gjakmarrjes.  Z. Çetta e dinte se që institucionet demokratike të Kosovës të kishin sukses, publiku nuk mund dhe nuk duhej të luante rolin e gjykatësit, porotës dhe ekzekutuesit. Puna e tij forcoi respektin e Kosovës ndaj sundimit të ligjit dhe ju fuqizoi juve për tu bërë arbitra të drejtësisë.

Në Shtetet e Bashkuarra të Amerikës, frymëzohem po aq nga jeta e gjyqtarit Elbert Tuttle (Elbert Tatël), gjyqtar i apelit në Gjorgji në kulmin e lëvizjes për të drejtat civile në Amerikë gjatë viteve 1960.  Gjatë gjithë jetës së tij, gjyqtari Tuttle luftoi palodhshëm për liritë civile të afrikano-amerikanëve.  Atij shpesh i jepen meritat si njëri ndër arkitektët e heqjes së ndarjes raciale në jug.  Përkundër sulmeve të panumërta personale dhe kërcënimeve fizike, Tuttle vazhdoi me ngulm duke avancuar të drejtat civile për komunitetet e lëna anash.  Edhe pse ende mbetet shumë punë për të avancuar barazinë, përmes përkushtimit të një njeriu ndaj drejtësisë, premtimi i Gjykatës së Lartë për vendimet kundër ndarjes raciale u bë realitet. 

Këto janë vetëm dy nga shumë shembuj historikë kur individët janë përballur me rrezikun për të mbrojtur vlerat që ata i vlerësojnë lart.  Madje edhe përderisa po ndodhte dhuna e fundit në Kapitol, heronj vetëmohues demonstruan guxim të madh me veprime të mëdha e të vogla. Shumë prej jush keni dëgjuar rrëfimin për personelin e Kongresit që patën mendjen dhe guximin për t’i ruajtur votat e Kolegjit Elektoral dhe për t’i siguruar ato.  Po e them sërish, këta janë qytetarë të rëndomtë, të cilët, kur u përballën me test, e bënë të duhurën – duke ndihmuar për të ruajtur dhe mbrojtur institucionet dhe vlerat tona demokratike.

Prandaj, prokurorë, mbrojtës të viktimave dhe staf ndihmës – mbani në mend që publiku ju beson që të jeni prijës të sundimit të ligjit. Mos iu frikësoni llogaridhënies – përqafojeni atë. Kërkoni nga vetja, kolegët dhe prijësit tuaj që t’i përmbaheni standardit më të lartë ligjor dhe etik. Mbroni me forcë të drejtat e viktimat dhe siguroni dinjitet njerëzor për të akuzuarit.  Kërkoni drejtësi për të gjithë qytetarët e Kosovës, pa marrë parasysh pozita e tyre në shoqëri.

Dhe ju nxis t’i mbani këto standarde dhe të shërbeni si shembull në shoqëri edhe në jetën tuaj personale. Kjo përfshin edhe luftën kundër pandemisë – bartni maskën, bindjuni rregullave të orarit kufizues dhe zvogëloni kontaktin shoqëror për të shmangur rrezikimin e panevojshëm të jetës. Nëse prokurorët nuk i marrin këto masa seriozisht, atëherë kush?

Jam i bindur se ju do të tregoni forcën dhe zgjuarsinë e duhur për të rezistuar dhe mbizotëruar në mbrojtje të lirisë, demokracisë dhe ligjit. Sepse me fjalët e Të Përndershmit Martin Luther Kingut të Riut: „Një njeri përfundimisht nuk matet me qëndrimin që e merr kur është rehat e mirë, por me qëndrimin që e merr kur përballet me sfida dhe polemika”.