Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryeprokurori i Shtetit z. Ismet Kabashi u takua me homologun e tij çek

Prishtinë, 28 prill 2011 – Kryeprokurori i Shtetit të Republikës së Kosovës z. Ismet Kabashi, priti sot në një takim pune kryeprokurorin e Republikës së Çekisë, z. Pavel Zeman.

Në këtë takim u bisedua për punët, sfidat dhe problemet, me të cilat ballafaqohen prokuroritë në të dyja vendet, si dhe për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit në mes dy vendeve në përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar.

Kryeprokurori Kabashi i njoftoi mysafirët me prioritetet dhe me synimet që ka si kryeprokuror i Shtetit dhe si kryetar i Këshillit Prokurorial të Kosovës.

Gjithashtu, kryeprokurori Kabashi njoftoi se është aprovuar Ligji për Prokurorin e Shtetit dhe Ligji për Këshillin Prokurorial të Kosovës, ligje këto që janë bazament për funksionimin e sistemit prokurorial, duke theksuar nevojën për rritjen e numrit të prokurorëve.

Ndërsa, kryeprokurori çek, z. Pavel Zeman, duke vlerësuar lartë sistemin prokurorial në Republikën e Kosovës, premtoi se do të angazhohet për t’i parë mundësitë e trajnimit për prokurorët nga Kosova në Republikën e Çekisë.

Të dyja palët shprehën bindjen se do të vazhdojnë angazhimin e tyre për bashkëpunim edhe më të ngushtë në mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Çekisë në fushën e drejtësisë në përpjekjet për luftimin e krimit të organizuar.