Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

U prezantua raporti i punës së Prokurorive të Republikës së Kosovës për vitin 2010

Prishtinë, 18 maj 2011 –  Në prani të përfaqësuesve të institucioneve vendëse dhe ndërkombëtare, sot u bë prezantimi i raportit të punës së Prokurorive të Republikës së Kosovës, për vitin 2010.

Nga ky raport del se prokuroritë e Republikës së Kosovës gjatë vitit 2010, edhe pse funksionin prokurorial e kanë ushtruar vetëm 64% të prokurorëve të nevojshëm, kanë kryer me sukses shumicën e punëve rreth zgjidhjes së lëndëve në punë.

Prokurorët komunal gjatë vitit 2010 mesatarisht kanë zgjidhur nga 437 lëndë, në krahasim me 250 të normës vjetore.  Ndërkaq, prokurorët e qarqeve kanë zgjidhur nga 105 lëndë mesatarisht, në krahasim me normën vjetore prej 60 lëndësh. Edhe përkundër faktit se është punuar mbi normë zgjidhja e këtyre lendeve është e kualitetit të lartë, e këtë e dëshmojnë vendimet gjyqësore.

Në vitin 2010 prokuroritë i kanë kushtuar vëmendje të posaçme edhe çështjes së transparencës së tyre, të përmirësimit dhe të zhvillimit të bashkëpunimit me institucionet tjera për zbatimin e ligjit, si me policinë, doganat dhe agjensionet tjera të pavarura për zbatimin e ligjit.

Prokuroria e Shtetit ka arritur suksese të dukshme në aspektin e bashkëpunimit ndërkombëtar, ku vetëm gjatë vitit 2010 ka lidhur marrëveshje bashkëpunimi me prokuroritë e Kroacisë, Shqipërisë dhe Francës.

Në ceremoninë e prezantimit të raportit të punës së prokurorive të Republikës së Kosovës për vitin 2010, kryeprokurori i Shtetit, njëherësh kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës i përgëzoi prokurorët për punën e tyre të shkëlqyer, duke i inkurajuar të punojnë me përkushtim.

“Në duart tona është një segment i rëndësishëm për integrime evropiane të Kosovës, sigurimi i sundimit të ligjit, prandaj në emër të prokurorëve premtoj se këtë detyrë, që ia kemi borxh Kosovës do ta plotësojmë në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha kryeprokurori Kabashi duke shtuar se: “Këshilli Prokurial i Kosoves, i cili menaxhon me sistemin prokurorial, do të jetë faktori kyç për arritjen e sukseseve më të mira, si në sferën e ngritjes së kapaciteteve njerëzore, kualitetit të punës, përgjegjësive dhe resurseve materiale të nevojshme për punë më të suksesshme të prokurorive”.

Kryeprokurori Kabashi njoftoi se gjatë vitit 2010 është rritur besimi në punën e prokurorëve, e këtë e dëshmon numri më i madh i kallëzimeve penale të paraqitura prokurorisë drejtpërdrejt nga të dëmtuarit. Ndërkaq, gjatë vitit 2011 prokurorët kanë filluar më shumë procedura sipas detyrës zyrtare në krahasim me vitin e kaluar dhe ky trend i fillimit të procedurave sipas detyrës zyrtare, vetëm gjatë tre muajve të parë të këtij viti është më i madh se sa numri i përgjithshëm i proceudrave të filluara sipas detyrës zyrtare në dy vitet e fundit.

Me këtë rast ministri i Drejtësisë prof. Dr. Hajredin Kuçi pohoi se prokuroritë do të zënë vend të veçantë edhe në Këshillin Konsultativ për Drejtësi, i cili është themeluar rishtazi, me iniciativë të Ministrisë së Drejtësisë, me qëllim të avancimit të sistemit të drejtësisë dhe sundimit të ligjit, të zbatimit të strategjive të organeve gjyqësore dhe prokuroriale, të sigurimit të kushteve, propozimit dhe ndërmarrjes së masave në fushën e sistemit gjyqësor dhe atij prokurorial.

Ndërkaq, kryeprokurori i EULEX-it, z. Johannes van Vreeswijk deklaroi se në përgjithësi, shërbimi i prokurorive të Republikës së Kosovës ka arritur një progres domethënës që nga viti 2008. Ligje të reja të rëndësishme kanë hyrë në fuqi, që përcaktojnë cilësitë e kërkuara të kornizës ligjore dhe që parashohin paga të duhura.