Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

U mbajt takimi i radhës i Këshillit Prokurorial të Kosovës

Prishtinë, 1 dhjetor 2015 - Është mbajtur takimi i njëqindenëntë i Këshillit Prokurorial të Kosovës, i kryesuar nga kryetari i Këshillit Prokurorial të Kosovës, njëherësh edhe kryeprokuror i Shtetit, Aleksandër Lumezi.

Gjatë këtij takimi, anëtarët e Këshillit Prokurorial të Kosovës, kanë marrë vendim për ndryshimin e   vendimit  për  datën e mbajtjes  së Konferencës vjetore të Prokurorëve, nga data 05 dhjetor në datë 12 dhjetor 2015, në të cilën do të mbahen zgjedhjet për anëtarë të KPK-së nga radhët e prokurorëve.

Po ashtu, anëtarët e KPK-së, morën vendim për themelimin e Komisionit për shqyrtimin e përshtatshmërisë së kandidatëve të nominuar nga shoqëria civile për anëtarë të Këshillit prokurorial në përbërje; Sevdije Morina, kryesuese e komisionit, Bajram Ukaj, dhe Valdrin Krasniqi anëtarë të komisionit.

Anëtarët e Këshillit Prokurorial, kanë diskutuar dhe aprovuar;
-    Rregulloren e cila përcakton rregullat dhe procedurat e rekrutimit, emërimit dhe ri-emërimit të prokurorëve të shtetit më saktësisht, shpalljes së konkursit për prokurorë të shtetit, hartimin, vlerësimin dhe organizimin e provimit për kandidatët për prokurorë të shtetit. Gjithashtu rregullohet themelimi, kompetencat dhe mandati i Komisionit për Rekrutim dhe Komisionit për Rishqyrtim, si dhe procesi i vlerësimit të integritetit personal dhe aftësive profesionale të kandidatëve për prokurorë dhe propozimet për emërim të prokurorëve të shtetit;
-    Rregulloren për ndarjen e lëndëve, e cila ka për qëllim rregullimin e sistemit të ndarjes së lëndëve në institucionin e Prokurorit të Shtetit të Republikës së Kosovës;  si dhe;
-    Rregulloren për komisionin për çështje normative, e cila ka për qëllim të përcaktojë organizimin e punës dhe përgjegjësitë e Komisionit për Çështje Normative, si komision i përhershëm që shqyrton bazën juridike për të gjitha rregulloret dhe aktet tjera të miratuara në Këshillin Prokurorial të Kosovës, për të shqyrtuar nëse janë në harmoni dhe pajtueshmëri me Kushtetutën, ligjet në fuqi dhe rregulloret ekzistuese të KPK-së.

Po sot, anëtarët e KPK-së, diskutuan dhe aprovuan kërkesën e Komisionit për Vlerësimin e Performancës së Prokurorëve, pasi që anëtari i këtij komisioni, tani ish- prokurori Jusuf Mejzini, është pensionuar dhe ka lënë pozitën e lirë. Andaj, anëtarët e KPK-së morën vendim që anëtar i ri i këtij Komisioni të jetë prokurori nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, Lulzim Sulejmani.

Gjatë këtij takimi, koordinatori Kombëtar për luftimin e krimit ekonomik, Shqipdon Fazliu, ka prezantuar sot Planin strategjik (2016-2018)  dhe planin e veprimit për ngritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial në luftimin e korrupsionit dhe krimeve ekonomike, përfshirë sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë së paligjshme, para anëtarëve të Këshillit Prokurorial. Anëtarët e KPK-së e vlerësuan lartë planin e prezantuar nga koordinatori Fazliu. Po ashtu, ata aprovuan Planin Strategjik, me disa vërejtje dhe sugjerime.

Propozimi i 21 prokurorëve për tek Presidentja e Republikës së Kosovës për dekretim me mandat të përhershëm, ishte një ndër pikat e rendit të ditës. Anëtarët e KPK-së, morën vendim që, për dekretim tek presidentja e Republikës së Kosovës të dërgohet lista prej 20 kandidatëve.

Pikë tjetër e rendit të ditës ishte edhe shqyrtimi i kundërshtimit të Raportit të Komisionit për Vlerësimin e performancës së prokurorëve, nga tre prokurorë. Anëtarët e KPK-së, kanë vlerësuar se ankesat e prokurorit Armend Hamiti dhe Fitore Sadikut të refuzohen, ndërkaq  ankesa e prokurorit Arian Gashi, të kthehet edhe njëherë tek Komisioni për Vlerësimin e performancës dhe të rishikohet edhe një herë vlerësimi i tij.

Po ashtu, anëtarët e KPK-së gjatë takimit të sotshëm kanë aprovuar listën e kandidatëve për anëtarë të KPK-së nga radhët e prokurorëve. Anëtarët e KPK-së, kanë thënë se nga njëzetetetë (28) të nominuar për anëtarë, njëzetetre (23) prej tyre i plotësojnë të gjitha kriteret. Ndërkaq, pesë (5) prej tyre nuk mund të vazhdojnë garën pasi që nuk i plotësojnë kriteret e nevojshme.

Po ashtu,  anëtarët e KPK-së aprovuan propozimin për transferimin e prokurorit Elez Blakaj nga Prokuroria Themelore e Prishtinës për në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës.

Edhe kërkesat e prokurorëve Shpend Krasniqi dhe Rafet Halimi, për transferim nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për në Prokurorinë Themelore të Prishtinës, u aprovuan nga anëtarët e KPK-së.

Si dhe pika e fundit e rendit të ditës ishte, kërkesa nga dr. Tefik Gashi dhe dr. Cen Morina për ndryshimin e Vendimit të KPK-së, (KPK/Nr.81/2013), të datës 22 mars 2013. Anëtarët e KPK-së, u pajtuan që të themelohet një Komision për shqyrtimin e kërkesës së tyre, si dhe për angazhimin e ekspertëve të mjekësisë Ligjore. Anëtarët e KPK-së, caktuan për kryetar të këtij Komisioni, prokurorin Besim Kelmendi nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, dhe për anëtarë, caktuan prokurorët Bahri Hyseni dhe Jetish Maloku.