Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Janë bërë përgatitjet për mbajtjen e “Konferencës vjetore të prokurorëve të shtetit”

Prishtinë, 11 dhjetor 2015 -  Në organizim të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe me mbështetjen e Ambasadës amerikanë në Kosovës, nesër (e shtunë, 12 dhjetor 2015), do të mbahet “Konferenca vjetore e prokurorëve të shtetit”.

Në këtë konferencë, përveç Kryeprokurorit të Shtetit Aleksander Lumezi, me fjalë rasti do të paraqiten, Presidentja e Republikës së Kosovës, Ministri i Drejtësisë, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor, Ambasadori amerikan, përfaqësuesi i Zyrës së BE-së në Kosovë, përfaqësues të EULEX-it dhe përfaqësuesi i OSBE-së.

Gjatë konferencës vjetore do të diskutohet implementimi i amendamenteve të reja të ligjeve për Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit. Po ashtu, do të diskutohet strategjia për luftimin e korrupsionit, krimeve ekonomik, duke përfshirë konfiskimin dhe sekuestrimin, si dhe sfidat e Raportit të Progresit dhe obligimet tjera të sistemit prokurorial në procesin e integrimeve evropiane.

Pjesë e rëndësishme e kësaj konference do të jetë edhe prezantimi i kryeprokurorëve të të gjitha prokurorive, i sfidave me të cilat ata ballafaqohen gjatë kryerjes së punës së tyre, por edhe propozimet dhe idetë për eliminimin e tyre.

Pas amendamentit të Ligjit për Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK), ku ndër të tjera është bërë edhe ndryshimi i mënyrës së zgjedhjes së anëtarëve të KPK-së, gjatë kësaj konference do të mbahen zgjedhjet për anëtar të KPK-së nga radhët e prokurorëve.