Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Lumezi e Gashi, biseduan për lirimin e pronave dhe objekteve të uzurpuara

Prishtinë, 10 tetor 2016 – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi ka pritur sot në takim Kryesuesin e Bordit të Drejtorëve të Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Petrit Gashi, së bashku me Drejtorin Menaxhues, Ekrem Hajdari dhe bashkëpunëtorët e tij, ku kanë biseduar për çështjet e privatizimit dhe uzurpimeve të pronësisë ose pasurisë shoqërore.
 
Në fokus të takimit mes Kryeprokurorit Lumezi dhe Drejtorit Gashi, ka qenë lirimi i pronave dhe objekteve të uzurpuara dhe angazhimi për lirimin e tyre nga uzurpatorët.
 
Po ashtu, kryeprokurori Lumezi, edhe një herë i ka njoftuar mysafirët se është i përkushtuar që të gjitha rastet që kanë të bëjnë me privatizimin dhe uzurpimin e pronësisë shoqërore do të trajtohen me prioritet.
 
Ky takim ka shërbyer edhe për identifikimin e rasteve për të cilat Prokurori i Shtetit do t’i ndërmerr të gjitha veprimet e duhura ligjore, që janë në kompetencë të Prokurorisë.