Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Vazhdon bashkëpunimi KPK-Akademi e Drejtësisë në fushën e trajnimeve profesionale

Prishtinë, 21 janar 2019 – Kryesuesi  i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka pritur në takim Drejtorin Ekzekutiv të Akademisë së Drejtësisë, Valon Kurtaj, të cilin e ka falënderuar për mbështetjen e vazhdueshme dhe ofrimin e trajnimeve profesionale nga ana e institucionit që drejton për ngritjen e kapaciteteve të nevojshme për prokurorët.

Kreu i Këshillit dhe ai i Akademisë kanë biseduar për realizimin e planeve të trajnimeve gjatë vitit 2019, me fokus të veçantë në rrjedhën e aftësimit në Programin e trajnimeve fillestare për prokurorë, i cili pritet të përfundojë së shpejti, në mënyrë që të fillojnë të merren me raste konkrete.

Gjithashtu është diskutuar për përgatitjet që po zhvillohen edhe për fillimin e trajnimeve fillestare për grupin tjetër, si dhe për Programin e Trajnimeve të Vazhdueshme për prokurorë, të cilat përfshijnë ndryshimet në infrastrukturën ligjore, pra ndryshimet në legjislacionin penal dhe reformat në strukturën organizative të prokurorive.

Në fund të dy bashkëbiseduesit patën pajtim të përbashkët për vazhdimin dhe intensifikimin e bashkëpunimit për ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe administrative të sistemit prokurorial.