Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial priti në takim kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës

Prishtinë 29 janar 2019 –Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, Bahri Hyseni, ka pritur në takim kryetarin e Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli.

Qëllimi i takimit ishte rritja e nivelit të bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit, identifikimi e çështjeve të përbashkëta dhe trajtimi i problemeve, me të cilat përballen prokurorët dhe avokatët në punën e tyre.

Kryesuesi Bahri Hyseni ka theksuar se anëtarët e Odës së Avokatëve të Kosovës (OAK) mund të japin kontribut të çmuar në fushën e zbatimit të Ligjit për ndërmjetësim, për shkak të angazhimit të tyre të përditshëm në sistemin e drejtësisë, konkretisht në raport me sistemin prokurorial. “Në kontekst të bashkëpunimit tonë vlen të fuqizohen format e bashkëpunimit të ngushtë në fushën e procedimit të lëndëve me ndërmjetësim, me ç’rast avokatët do të njoftohen me procedurat alternative”, ka thënë kreu i KPK-së.  

Nga ana tjetër, kryetari i OAK-ut, Osman Havolli, është fokusuar te sfidat me të cilat po përballen avokatët, duke vlerësuar lart nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë në kuadër të kompetencave të ndërsjella.

Kryesuesi Hyseni dhe kryetari Havolli janë pajtuar që të punojnë në të ardhmen bashkërisht dhe çështjet të diskutohen nëpërmjet takimeve si ky i sotmi, me qëllim të përmirësimit të funksionimit të sistemit të drejtësisë në vend.