Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Apelohet për zbatimin pa hezitim të Projektit të SMIL-it

Prishtinë, 6 mars 2019 – Këshilli Gjyqësor i Kosovës dhe Këshilli Prokurorial i Kosovës kanë organizuar një ceremoni për shprehjen e përkushtimit për funksionalizimin e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL), projekt ky, i cili mbështetet financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë.

Qëllimi i kësaj ceremonie kishte në fokus të veçantë fazën e tretë të SMIL-it, në mënyrë që të diskutohet progresi i arritur, hapat e tashëm, zotimi dhe angazhimi për ta realizuar në plotësi menaxhimin e lëndëve në sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Në këtë ceremoni ishin të pranishëm: Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Bahri Hyseni, Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi, Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Kadri Veseli, Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri, Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë në Kosovë, z. Per Strand Sjastad, si dhe kryeprokurorë dhe kryetarë të gjykatave.

Me këtë rast, pjesëmarrësit dhe palët e interesit patën rastin të diskutojnë për hapat dhe veprimet e përbashkëta në bazë të përgjegjësive dhe kompetencave të tyre, në mënyrë që t’i bashkërendojnë ato për realizimin e suksesshëm të SMIL-it.

Në vijim  të takimit u vlerësua se Sistemi për Menaxhimin Informativ të Lëndëve, si një faktor i rëndësishëm i reformave në sistemin e drejtësisë, ka nevojë për marrjen e vendimeve të duhura dhe, pa hezitim, nga palët e përfshira në procesin e automatizimit të shërbimeve, duke shprehur zotime dhe angazhime të reja në procesin e zbatimit të tij.

Në këtë aspekt, bashkërendimi i dy Këshillave – Këshillit Gjyqësor të Kosovës dhe Këshillit Prokurorial të Kosovës, si dhe mbështetja nga Kuvendi i Kosovës, Ministria e Drejtësisë dhe donatorët nuk do të mungojë në të ardhmen, në mënyrë që të arrihet edhe qëllimi final i këtij projekti, i cili, në fakt, është një vegël jetike për sistemin e drejtësisë së Kosovës.

Me këtë rast, palët e përfshira u zotuan se do t’i ndërmarrin hapat e nevojshëm dhe vendimet e duhura për të siguruar zbatim të plotë të projektit në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë e Kosovës, duke çmuar lart kontributin dhe mbështetjen e madhe financiare dhe profesionale, të cilën e ka dhënë shteti norvegjez për zbatimin e SMIL-it.

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Bahri Hyseni dhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Nehat Idrizi, theksuan se projekti i SMIL-it do të zbatohet plotësisht pa marrë parasysh sfidat që mund të dalin përpara, duke përmendur  ndryshimet pozitive që tashmë ka sjellë ky projekt në procesin e punës së sistemit prokurorial dhe gjyqësor në Kosovë. Sipas tyre, funksionalizimi i plotë i SMIL-it duhet të bëhet dhe nuk ka alternativë tjetër, kurse në vijim janë bërë ndryshimet e nevojshme normative për aplikimin e tij.

Do të ketë mbikëqyrje të vazhdueshme të të gjitha fazave zbatuese dhe do të ndërmerren masat ligjore konkrete ndaj të gjithë atyre, të cilët mund të ngadalësojnë dhe pengojnë përdorimin e SMIL-it, sepse vetë sistemi do të ndikojë drejtpërsëdrejti në ngritjen e transparencës, llogaridhënies, besueshmërisë, planifikimit më të mirë, shpejtësisë dhe efikasitetit më të madh në punë.

Këtij projekti i ka ofruar mbështetje të madhe edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, z. Kadri Veseli dhe Ministri i Drejtësisë, z. Abelard Tahiri, të cilët kanë thënë se në bazë të kompetencave të tyre institucionale do të ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme ligjore, me qëllim të arritjes së efekteve pozitive në punën e sistemit të drejtësisë së Kosovë.

Ndërsa, Ambasadori norvegjez në Kosovë, Shkëlqesia e Tij, Per Strand Sjastad, tha se SMIL-i do të mbështetet në aspektin financiar, përmes ekspertizave dhe përvojës së ekspertëve norvegjezë, me ç’rast theksoi se shteti norvegjez do të mbetet i angazhuar në zbatimin e Memorandumit të përbashkët të Bashkëpunimit për fazën e konsolidimit të projektit për periudhën 2019-2021, duke kërkuar nga përfaqësuesit e institucioneve kosovare që të ushtrojnë ndikimin e tyre ligjor dhe institucional për realizimin e plotë të tij. 

Projekti i SMIL-it është iniciuar në shkallë kombëtare dhe është financuar nga Qeveria e Norvegjisë me mjete financiare prej përafërsisht 10 milionë eurosh për të përmirësuar efikasitetin, llogaridhënien dhe transparencën në sistemit të drejtësisë, ndërsa përgjegjës për zbatimin e tij janë Këshilli Prokurorial dhe Këshilli Gjyqësor i Kosovës.