Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hyseni: Projekti i BE-së, ndihmë e madhe për efikasitetin dhe llogaridhënien e sistemit prokurorial

Prishtinë, 12 mars 2019 - Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni dhe Zëvendëskryesuesi i KPK-së, Arben Ismajli, kanë pritur në takim ekspertët e Projektit të Binjakëzimit të BE-së për rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës së sistemit gjyqësor dhe prokurorial në Kosovë, Gabriele Fiorentino, Mariarosaria Guglielmo dhe Gabriele Casalena.

Me këtë rast, Kryesuesi i Këshillit, Bahri Hyseni, ka vlerësuar lart këtë projekt të menaxhuar dhe financuar nga BE-ja, duke thënë se ka ndikuar në forcimin e sistemit prokurorial dhe është zbatuar në partneritet të plotë nga institucionet tona të drejtësisë, duke krijuar parametra konkretë dhe realë të një sistemi efektiv, efikas dhe llogaridhënës, gjë që përkon me trasimin dhe ruajtjen e vlerave tona evropiane.  

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i një sërë çështjesh të rëndësishme të bashkëpunimit në kuadër të këtij projekti, siç ishin zbatimi i memorandumeve të bashkëpunimit ndërmjet KPK-së, KGJK-së, Ministrisë së Drejtësisë dhe Akademisë së Drejtësisë dhe ofrimi i mbështetjes për hartimin e akteve, dokumenteve dhe memorandumeve të reja, të cilat ndërlidhen me veprimtari të përbashkëta të institucioneve të drejtësisë kosovare.

Gjithashtu është biseduar edhe për takimin përmbyllës të këtij projekti, i cili do të mbahet më 7 maj 2019 dhe do të shënohet me aktivitete të ndryshme më shenjë të përfundimit të misionit mbështetës për rritjen e efikasitetit, llogaridhënies dhe transparencës në sistemin prokurorial.  

Ndërkaq, në fund të takimit, të dyja palët u pajtuan që të organizojnë në muajin prill një konferencë për lehtësimin e qasjes së minoriteteve në drejtësi, që do të mbahet në Ambasadën e Italisë në Kosovë, në të cilën do të marrin pjesë institucionet dhe partnerët ndërkombëtarë dhe vendës.