Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial priti në takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë

Prishtinë, 14 mars 2019 - Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Bahri Hyseni, ka pritur nё takim Ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Shkëlqesinë e Tij, z. Ruairi O’Connell.
 
Gjatë këtij takimi, Kryesuesi Hyseni ka falënderuar Ambasadorin O’Connell për vizitën dhe njëkohësisht për ofrimin e ndihmës së gjithanshme të Mbretërisë së Bashkuar dhe bashkëpunimin e pandërprerë për ngritjen e kapaciteteve të sistemit prokurorial të Kosovës.
 
Me këtë rast, kreu i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Bahri Hyseni, ka shprehur mirënjohjen për përkushtimin e madh të Mbretërisë së Bashkuar për të punuar fuqishëm me sistemin prokurorial dhe në forcimin e integritetit, pavarësisë dhe efikasitetit të tij. “Ne përherë do të jemi të përkushtuar për të krijuar dhe për të çuar përpara një bashkëpunim të sinqertë me partnerë të tillë, sikurse është Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë dhe përgjithësisht nga Mbretëria e Bashkuar, e cila gjithnjë kanë dhënë shembuj të mëdhenj se si duhet ofruar përkrahjen dhe mbështetjen e nevojshme për zhvillimin dhe fuqizimin e pavarësisë së sistemit tonë prokurorial”, ka thënë kreu i Këshillit, z. Bahri Hyseni.
   
Ndërkaq, diplomati i lartë britanik në Kosovë, Ambasadori Ruairi O’Connell, ka shprehur qëndrimin se Mbretëria e Bashkuar do të vazhdojë të përkrahë reformën në sistemin e drejtësisë, duke nënvizuar më tej se sistemi prokurorial kosovar duhet të udhëhiqet nga standarde dhe vlera të larta profesionale dhe të tregojë rezultate konkrete në kuadër të llogaridhënies dhe transparencës së tij institucionale. “Në vazhdimësi Ambasada Britanike dhe unë personalisht kemi përcjellur zhvillimet në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Mungesa e rezultateve, pandeshkueshmëria, mosreagimi dhe mungesa e llogaridhënies mbeten problemet kyçe. Prandaj, në këtë drejtim duhet të bëhet diçka. Ne jemi të gatshëm t'ju mbështesim drejt arritjes së rezultateve konkrete", ka thënë z. Ruairi O’Connell.
 
Nga ana tjetër, me vëmendje të veçantë është diskutuar lidhur me procesin e përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës dhe prokurorëve të rinj, me ç’rast ekspertët e Mbretërisë së Bashkuar janë duke përkrahur Këshillin për rekrutimin transparent, profesional dhe meritokratik të kryeprokurorëve dhe prokurorëve, si dhe duke ofruar ekspertizë për rritjen e transparencës dhe efikasitetit të sistemit prokurorial, si dhe duke sjellë praktikat e mira të Mbretërisë së Bashkuar, në kuadër të Projektit “Forcimi i sistemeve gjyqësor dhe prokurorial të Kosovës.