Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Sqarim lidhur me shkrimin e datës 3 prill 2019 në gazetën “Koha Ditore” me titull: “KPK-ja shmang britanikët nga konkursi për Kryeprokurorin Special

Prishtinë, 3 prill 2019 - Sa i përket shkrimit të ditës së sotme, 3 prill 2019, në gazetën “Koha Ditore”, me titull: “KPK shmang britanikët nga konkursi për Kryeprokurorin Special”, Këshilli Prokurorial i Kosovës, njofton se bazuar në aktet normative në fuqi, që kanë të bëjnë me funksionimin e veprimtarisë së përgjithshme të sistemit prokurorial, janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për mbarëvajtjen e rregullt të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorit të ri të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), me ç’rast kemi ftuar partnerët tanë ndërkombëtarë për të marrë pjesë në mbikëqyrjen e këtij procesi, përfshirë Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar, Përfaqësuesit e Projektit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, BE-në, si dhe është aprovuar kërkesa e BIRN-it në kuadër të së drejtës së shoqërisë civile për monitorim.

Paraprakisht, në letër-shkëmbimet për këtë proces, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka ftuar në vazhdimësi përfaqësuesit e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar për monitorim të këtij procesi, por të cilët kanë kërkuar edhe vlerësimin e kandidatëve duke u thirrur në Memorandumin e Bashkëpunimit me Qeverinë e Kosovës, memorandum i cili nuk përfshin emërimet e larta në sistemin prokurorial.

Lidhur me këto shqetësime të Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar, është diskutuar në takimin e fundit të KPK-së të mbajtur me datë 27 mars 2019, ku anëtarët e Këshillit me unanimitet janë pajtuar që ekspertët britanikë të bëjnë vlerësimin e kandidatëve dhe të njëjtin ta përcjellin në formë të raportit te anëtarët e Këshillit. Përfaqësuesit e Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar që kanë marrë pjesë në këtë takim, janë pajtuar me këtë qëndrim të KPK-së dhe kanë kërkuar që Ambasadori të njoftohet me shkrim, gjë të cilën KPK e ka realizuar me datë 28 mars 2019.

Si reflektim nga takimi i KPK-së, Komisioni Vlerësues me datë 29.03.2019 ka ftuar partnerët ndërkombëtar përfshirë Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar për të marrë pjesë në procesin e intervistave. Pas së cilës Ambasada i është drejtuar kryesuesit Hyseni me kërkesë ku është rekomanduar ri hapja e konkursit për emërimin e Kryeprokurorit të PSRK-së me arsyetimin se nuk kanë kohë të mjaftueshme për tu përgatitur lidhur me këtë proces.

Në përgjigje të kësaj kërkese, Kryesuesi i KPK-së, Bahri Hyseni, ka njoftuar se në këtë fazë kur është paraqitur rekomandimi për ri hapje të konkursit është e pamundur të realizohet për shkak të procedurave ligjore të parapara për emërimin e Kryeprokurorit të PRSK-së dhe ka ftuar përsëri përfaqësuesit e Ambasadës për të marrë pjesë më datën 1 prill 2019, në orën 9:00, për të diskutuar hartimin e pyetjeve të mundshme për kandidatët dhe për mbarëvajtjen e procesit të intervistave.

Vlen të potencohet se në procesin e emërimit të Kryeprokurorit të PSRK-së kanë marrë pjesë përfaqësuesit e Projektit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, ku  ishin pjesëmarrës në procesin e shqyrtimit të aplikacioneve të kandidatëve, më 21 mars 2019, ndërsa kanë munguar me rastin e intervistimit të kandidatëve, duke dërguar e-mail, në të cilin kanë thënë se kanë agjendë jashtë vendit dhe nuk mund të marrin pjesë me datën 1 prill 2019.

Përfundimisht, Këshilli Prokurorial i Kosovës, si institucion kushtetues dhe i pavarur, shpreh përkushtimin dhe gatishmërinë e tij të përhershme për të bashkëpunuar me Ambasadën e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Qeverinë dhe popullin britanik, të cilët na kanë mbështetur gjithnjë dhe shprehim mirënjohje të jashtëzakonshme ndaj çdo ndihme që na kanë ofruar, së bashku me partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

Me këtë rast shprehim bindjen e thellë se KPK-ja është e interesuar jetësisht për t’i fuqizuar dhe avancuar marrëdhëniet e ndërsjella dhe natyrisht se mbesim të përkushtuar që procesi i përzgjedhjes së Kryeprokurorit të PSRK-së të jetë profesional, i paanshëm, transparent dhe meritokratik, proces ky i cili është duke u monitoruar nga përfaqësues të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, përfaqësuesit e Projektit të Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, BE-së dhe përfaqësuesit e BIRN-it.