Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së priti në takim ekspertët e Projektit britanik për fuqizimin e kapaciteteve dhe për mbështetjen e krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore kundër krimit të organizuar

Prishtinë, 20 mars 2024

Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Sami Istrefi, priti në një takim udhëheqësin e Projektit për forcimin e policisë së udhëhequr nga inteligjenca dhe për mbështetjen e krijimit të ekipeve të përbashkëta hetimore kundër krimit të organizuar në Kosovë, ekspertin e fushës së krimit të organizuar, z.Mark McDowell dhe zyrtaren për zbatim të politikave në Sektorin e Sundimit të Ligjit në Ambasadën Britanike në Kosovë, znj.Altina Besimi.

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i prioriteteve dhe i objektivave, që ndërlidhen me angazhimin e përbashkët për fuqizimin e kapaciteteve të Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, sidomos në aspektin e përmirësimit të ofrimit të shërbimeve gjatë proceseve të punës dhe për të ofruar ekspertizën profesionale për hartimin e procedurave standarde të punës.

Më ketë rast, Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së falënderoi përfaqësuesit e këtij projekti për vizitën e tyre, duke i njoftuar për prioritetet dhe objektivat që ndërlidhen me funksionalizimin dhe avancimin e sektorit të administratës së Këshillit Prokurorial dhe institucionit të Prokurorit të Shtetit. “Si gjithnjë, Ambasada e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, përmes projekteve të saj, ka kontribuuar për fuqizimin dhe avancimin e institucioneve tona, andaj mirëpresim bashkëpunimin e ri për ngritjen e kapaciteteve tona mbështetëse”, nënvizoi z.Istrefi.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e këtij projekti, falënderuan drejtorin për pritjen, duke theksuar se janë të përkushtuar dhe angazhohen në mënyrë intensive për të identifikuar çështjet me interes të përbashkët, përveç Prokurorisë Speciale, ku do të përkrahet sistemi prokurorial. 

Në përfundim të takimit të sotëm, bashkëbiseduesit shprehën përkushtimin e tyre për të bashkëpunuar në kuadër të kompetencave përkatëse të tyre, në mënyrë që të ketë avancim të shërbimeve administrative me anë të implementimit të këtij projekti britanik në sistemin e  drejtësisë në Kosovë, i cili implementohet nga Sustainable Criminal Justice Solutions or SCJS.