Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Vazhdojnë vizitat e Kryesuesit Hajdaraj nëpër prokuroritë e vendit, institucioni i radhës ishte Prokuroria Themelore në Pejë

Prishtinë, 13 mars 2024

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës, z. Ardian Hajdaraj, vazhdoi edhe sot aktivitetet e parapara në kuadër të iniciativës për t’i vizituar prokuroritë e vendit, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i SKPK-së, z. Sami Istrefi, me ç’rast vizitoi Prokurorinë Themelore në Pejë, ku është pritur nga Kryeprokurori i kësaj prokurorie, z. Agim Kurmehaj, së bashku me bashkëpunëtorë.

Fillimisht, në takimin e zhvilluar në Pejë, Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore, z. Agim Kurmehaj, njoftoi z. Hajdaraj për aktivitetet dhe proceset e zhvilluara të punës në tremujorin e parë të këtij viti dhe për sfidat dhe vështirësitë më të cilat përballet kjo prokurori në hetimin dhe ndjekjen e veprave penale në territorin që ka në kompetencë, i cili përbëhet nga katër komunat perëndimore të Kosovës.  

Kryesuesi Hajdaraj falënderoi për pritjen Kryeprokurorin Kurmehaj, duke theksuar se ka filluar vizitat nëpër prokuroritë e vendit për të parë nga afër zhvillimet e proceseve aktuale të punës dhe për të diskutuar nevojat konkrete të këtyre prokurorive për zbatimin e mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor.

Në përfundim të takimit në këtë prokurori, z.Hajdaraj dhe z.Kurmehaj janë pajtuar për koordinimin e plotë të aktiviteteve të përbashkëta për zbatimin e planit të punës së kësaj prokurorie për vitin 2024 dhe rrjedhimisht edhe për angazhimin e Këshillit për krijimin e kushteve sa më të favorshme të punës, të cilat do të ndihmonin avancimin e sundimit të ligjit në këtë pjesë të vendit.