Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hajdaraj priti në takim shefin e OSBE-së për Kosovë, Ambasadorin Michael Davenport dhe udhëheqësin e Sektorit për Ligj dhe Drejtësi, z.Mark Lasser

Prishtinë, 14 mars 2024

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z.Ardian Hajdaraj, së bashku me Zëvendëskryesuesen znj.Jehona Grantolli, ka pritur sot në takim Ambasadorin e Misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) për Kosovë, z. Michael Davenport dhe shefin e Sektorit për Ligj dhe Drejtësi, z.Mark Lasser.

Qëllimi i këtij takimi ishte informimi i ndërsjellë për realizimin e projekteve të përbashkëta dhe mbajtja e vazhdimësisë së bashkëpunimit në mes të KPK-së dhe OSBE-së, me ç’rast Kryesuesi Hajdaraj falënderoi Ambasadorin Davenport për përkrahjen e vazhdueshme të OSBE-së për ngritjen dhe avancimin e kapaciteteve të përgjithshme të sistemit prokurorial.

“KPK-ja është e përkushtuar për të vazhduar bashkëpunimin me OSBE-në në çështjet e ngritjes së kapaciteteve profesionale të prokurorëve dhe stafit administrativ, me qëllim të avancimit të mëtejshëm të efikasitetit dhe efektivitetit gjatë proceseve të punës”, tha z.Hajdaraj.

Gjithashtu, diplomati britanik, Ambasadori Davenport, falënderoi Kryesuesin Hajdaraj për pritjen, duke nënvizuar se, misioni i OSBE-së në Kosovë është i gatshëm për të ofruar mbështetje për sistemin prokurorial, e cila vjen përmes ekipeve që kanë ekspertizë dhe përvojë në fushat e përkatëse të sistemit të drejtësisë, andaj mirëpresim punën në partneritet me Këshillin Prokurorial dhe Prokurorin e Shtetit.

Z. Hajdaraj dhe z. Davenport u pajtuan për organizimin dhe mbajtjen e programeve të trajnimit për prokurorë dhe për realizimin e projekteve të tjera me interes të përbashkët, për të cilat thanë se janë në funksion të forcimit të sundimit të ligjit në vend dhe do të realizohen sipas agjendave të parapara kohore.  

KPK-ja dhe OSBE-ja në Kosovë bashkëpunojnë përmes projekteve të ndryshme, me qëllim të ngritjes së efikasitetit, efektivitetit, komunikimit me publikun dhe transparencës së sistemit prokurorial.