Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Adresimi me kohë i sfidave dhe zbatimi i objektivave të punës për vitin 2024, ishin në fokus të vizitës së kreut të Këshillit Prokurorial në Prokurorinë e Apelit dhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë

Prishtinë, 13 mars 2024

Në kuadër të iniciativës për t’i vizituar prokuroritë e vendit, Kryesuesi i KPK-së, z.Ardian Hajdaraj dhe Zëvendëskryesuesja e KPK-së, znj. Jehona Grantolli, të shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, z.Sami Istrefi, përveç Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit dhe Prokurorisë Speciale, kanë vizituar sot edhe Prokurorinë e Apelit dhe Prokurorinë Themelore në Prishtinë, me ç’rast janë pritur në takim nga kryeprokurorët e këtyre prokurorive, z. Xhevdet Bislimi dhe z.Zejnulla Gashi me bashkëpunëtorë.

Gjatë takimeve të zhvilluara, Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, njoftuan udhëheqësit e Këshillit Prokurorial për proceset e punës në trajtimin e lëndëve, zbatimin e Sistemit për Menaxhimin Informativ të Lëndëve (SMIL) dhe për nevojat e identifikuara konkrete të këtyre prokurorive në funksion të realizimit të mandatit të tyre kushtetues dhe ligjor.

Kryesuesi i Këshillit, z.Hajdaraj, tha se këto vizita realizohen në kuadër të nismës për t’u njohur nga afër me aktivitetet dhe angazhimet konkrete, por edhe me sfidat, vështirësitë dhe nevojat e prokurorive të vendit, si dhe njëkohësisht duke konfirmuar edhe mbështetjen e nevojshme për fuqizimin dhe avancimin e procesit të punës në Prokurorisë së Apelit dhe në Prokurorinë Themelore në Prishtinë. “Adresimi me kohë i sfidave dhe zbatimi i objektivave të punës për vitin 2024 shpie drejt sukseseve tona të përbashkëta”, tha më ketë rast Kryesuesi Hajdaraj.

Në përfundim të takimeve të sotme në këto dy prokurori, Kryesuesi Hajdaraj dhe Zëvendëskryesuesja Grantolli, së bashku me bashkëbiseduesit e tyre, shprehën përkushtimin për bashkërendimin e aktiviteteve të përbashkëta dhe për mbështetjen e gjithanshme për krijimin e parakushteve të punës, në mënyrë që të realizohen objektivat e punës për vitin 2024, të cilat do të ndikojnë në avancimin e përgjithshëm të sundimit të ligjit në Kosovë.