Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Zhvillimi i kapaciteteve profesionale për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, temë diskutimi ndërmjet Kryesuesit Hajdaraj dhe Këshilltarit të Lartë për Çështje të Drejtësisë në INL, z.Michael Wasco

Prishtinë, 12 mars 2024

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), z.Ardian Hajdaraj, i shoqëruar nga Zëvendëskryesuesja znj.Jehona Grantolli, ka pritur në takim përfaqësuesin e ekipit vlerësues të INL-së për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë, njëherësh Këshilltar i Lartë për Çështje të Drejtësisë në Zyrën Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) në Departamentin Amerikan të Shtetit, Michael Wasco dhe znj. Dafina Bardhi – Rexhepi, Specialiste e Programeve në INL në Ambasadën e SHBA-së në Kosovë.

Fillimisht, Kryesuesi Hajdaraj e njoftoi z. Wasco, për intensifikimin e angazhimit lidhur me realizmin e aktiviteteve të parapara për këtë vit dhe tejkalimin e sfidave të Këshillit Prokurorial, me ç’rast falënderoi z. Wasco, për mbështetjen e madhe të Programit për Çështje Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatim të Ligjit (INL) në Kosovë, i cili fokusohet, ndër të tjera, edhe në përmirësimin dhe zhvillimin e kapaciteteve profesionale të prokurorëve për luftën kundër korrupsionit dhe terrorizmit.

Nga ana tjetër, Këshilltari e Lartë Juridik në INL, Michael Wasco, falënderoi Kryesuesin Hajdaraj për pritjen, duke theksuar përkushtimin e mëtejshëm të INL-së për të ofruar ndihmë për luftimin e krimit të organizuar dhe sundimin e ligjit në Republikën e Kosovës.

Të dy bashkëbiseduesit u pajtuan gjatë diskutimeve që patën që të ketë bashkëpunim të shtuar në mes të KPK-së dhe INL-së sa i përket zbatimit të objektivave strategjikë të sistemit prokurorial për zhvillimin e transparencës dhe llogaridhënies dhe për forcimin e një sistemi të pavarur prokurorial, duke siguruar që institucionet prokuroriale të jenë të lira nga ndërhyrjet politike dhe të përmbushin standardet e njohura ndërkombëtarisht.

INL, përmes Programit të Departamentit të Drejtësisë për Ndihmë, Trajnim dhe Zhvillim Prokurorial Jashtë Vendit (OPDAT), mbështet trajnimin e prokurorëve, ofron ndihmë teknike, ndihmon në hartimin e legjislacionit, bën analiza ligjore dhe kontribuon në edukimin arsimor pasuniversitar, duke ofruar mbështetje për zhvillimin e institucioneve të sundimit të ligjit dhe të drejtësisë penale në Kosovë.