Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet punëtori për finalizimin e draftit të Planit të Integritetit të sistemit prokurorial 2024-2026

Prishtinë, 7 mars 2024

Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK), përmes mbështetjes së Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP) në Kosovë, është duke mbajtur një punëtori dyditore për prezantimin dhe finalizimin e draftit të Planit të integritetit të sistemit prokurorial 2024-2026, plan ky, i cili derivon nga Ligji për Agjencinë për Parandalimin e Korrupsionit.

Në këtë punëtori janë duke marrë pjesë Kryesuesi i KPK-së, Ardian Hajdaraj, Zëvendëskryesuesja Jehona Grantolli, Ushtruesi  i Detyrës së  Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, anëtarë të Këshillit, prokurorë të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, kryeprokurorë të prokurorive të vendit, Drejtori i Përgjithshëm i Sekretariatit të KPK-së, përfaqësues të Institutit të Bazelit për Qeverisje dhe të UNDP-së dhe zyrtarët të tjerë të sistemit prokurorial.  

Fillimisht, Kryesuesi i Këshillit, njëherësh kryesuesi i Grupit punues për hartimin e Planit të integritetit të sistemit prokurorial (2024-2026), Ardian Hajdaraj, prezantoi pjesët kryesore të planit, duke theksuar rëndësinë e madhe të këtij dokumenti të brendshëm, me anë të të cilit do të vlerësohet niveli i integritetit përbrenda secilit institucion përkatës dhe do të ofrohen një sërë masash për menaxhimin e tij në sistemin prokurorial.

Gjithashtu, në sesionin e parë të ditës së sotme, U.D.Kryeprokurori i Shtetit, Besim Kelmendi, foli për sigurimin efektiv të menaxhimit të integritetit, llogaridhënien dhe transparencën publike dhe parimet e rezistencës institucionale ndaj cenimeve të integritetit në sistemin prokurorial, duke vënë theksin në angazhimin e shtuar të të gjithëve për tejkalimin e sfidave dhe vështirësive të mundshme.

Edhe pjesëmarrësit e tjerë nënvizuan gjatë diskutimeve të tyre se, sot dhe nesër, në sesionet e radhës që do të mbahen në këtë punëtori, përmes këtij plani synohet rritja e mundësive për të arritur objektivat e menaxhimit të integritetit në pajtim me kërkesat dhe standardet ligjore dhe procedurale, në mënyrë që të arrihet besimi i stafit dhe i palëve të jashtme të interesit në përkushtimin për zhvillimin dhe avancimin e integritetit, me anë të kontrolleve operative dhe fuqizimin e tyre në të gjitha aktivitetet dhe fushëveprimin e Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe institucionit të Prokurorit të Shtetit.

Në sesionet e nesërme do të ketë diskutime përfundimtare për draftin si tërësi dhe do të trajtohen pyetësori gjithëpërfshirës dhe tabela e rrezikut, i cili do të procedohet për miratim në njërën nga takimet e radhës së Këshillit Prokurorial të Kosovës.