Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Mbahet ceremonia e festimit të 8 Marsit – Ditës së Gruas në sistemin prokurorial

Prishtinë, 5 mars 2024

Zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), znj.Jehona Grantolli, e shoqëruar nga anëtarja e KPK-së, znj.Ariana Shajkovci, prokurorja në Prokurorinë Speciale, znj.Iliriana Çollaku-Tafa, zyrtaret nga OPDAT-i në Ambasadën Amerikane, znj.Benina Kusari dhe znj.Eliza Shporta, ka organizuar një ceremoni për shënimin e 8 Marsit –Ditës së Gruas, në të cilën morën pjesë prokurore nga prokuroritë e vendit, si dhe stafi profesional dhe administrativ i sistemit pokurorial.  

Me këtë rast, Zëvendëskryesuesja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, znj.Jehona Grantolli, falënderoi të gjitha të pranishmet në shenjë mirënjohjeje dhe respekti për punën dhe angazhimin e tyre në sistemin prokurorial, duke theksuar avancimin e rolit dhe të përgjegjësive të grave dhe fuqizimin e mëtejshëm të tyre në rrugën që kemi përpara. “Kjo datë e sotme shënon një rrugëtim të vështirë dhe të gjatë shoqëror për të përmirësuar pozitën tonë dhe jetën tonë dhe përgjithësisht për të nxjerrë në pah vlerat tona si gra kontribuuese në sistemin e drejtësisë së vendit”, tha zonja Grantolli. 

Me fjalë rasti janë paraqitur edhe anëtarja e KPK-së nga radhët e Prokurorisë Themelore në Prizren, znj.Ariana Shajkovci, prokuroret e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, Iliriana Çollaku-Tafa dhe Fikrije Krasniqi-Fejzullahu, si dhe zyrtaret nga OPDAT-i në Ambasadën Amerikane në Prishtinë, znj.Benina Kusari dhe znj.Edita Shporta, të cilat evokuan kujtime dhe folën mbi përvojat, sfidat, vështirësitë dhe arritjet e tyre, duke potencuar se 8 Marsi duhet të shërbejë jo vetëm për bashkimin e grave në mbrojtjen e të drejtave të tyre, por edhe për të përcjellë mesazhe të qarta institucionale dhe shoqërore për fuqizimin e tyre.

Dita Ndërkombëtare e Grave festohet më 8 mars çdo vit dhe përkujton lëvizjen për të drejtat e grave, ndërsa respektimi i parë i Ditës së Grave u mbajt më 28 shkurt 1909 në Nju Jork dhe 8 marsi u sugjerua nga Konferenca Ndërkombëtare e Grave për t’u bërë Ditë Ndërkombëtare e Grave.