Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi Hajdaraj priti në takim Ambasadoren e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, znj. Carin Lobbezoo

Prishtinë, 27 shkurt 2024

Mbështetja e projekteve për sistemin prokurorial, përfshirë zbatimin e Projektit të EUKOJUST-it përmes CILC-it, zbatimi i Kodit të Etikës për Prokurorë dhe hartimi i Planit të Integritetit të Sistemit Prokurorial (2024-2026), ishin disa nga temat që u trajtuan në takimin e Kryesuesit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, z.Ardian Hajdaraj dhe Ambasadores së Mbretërisë së Holandës në Kosovë, znj. Carin Lobbezoo, e cila shoqërohej nga Koordinatori Rajonal i Sundimit të Ligjit, z. Bart de Brujin dhe Zyrtarja e Lartë e Sundimit të Ligjit, znj.Venera Ramaj.

Më këtë rast, Kryesuesi Hajdaraj falënderoi Ambasadoren Lobbezoo për vizitën e saj dhe për mbështetjen tejet të çmueshme që ka dhënë Holanda për fuqizimin e sistemit prokurorial dhe sundimit të ligjit në vendin tonë, si pjesë të një procesi të pashmangshëm të integrimit evropian, si dhe e njoftoi atë për përmbushjen e detyrave të Këshillit, planet e tij dhe sfidat që ekzistojnë në rrugën përpara. 

Nga ana tjetër, Ambasadorja Lobbezoo falënderoi Kryesuesin Hajdaraj për pritjen, duke theksuar se misioni diplomatik që përfaqëson dhe vendi i saj do ta mbështesin sistemin prokurorial me anë të projekteve zhvillimore dhe do të angazhohet që bashkëpunimi ndërmjet tyre të thellohet edhe më tej, përfshirë respektimin dhe funksionimin e pavarur, të paanshëm dhe profesional të tyre.

Në përfundim të takimit të sotëm Hajdaraj-Lobbezoo, të dyja palët janë zotuar për krijimin e partneritetit të vazhdueshëm, duke intensifikuar format dhe mënyrat e bashkëpunimit në mes të sistemit prokurorial dhe Ambasadës Holandeze.