Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Ardian Hajdaraj, priti në takim shefin e EULEX-it, Giovanni Barbano dhe zëvendësshefen Emily Rakhorst

Prishtinë, 15 shkurt 2024

Shprehja e gatishmërisë së lartë për bashkëpunim në proceset e përbashkëta në mes të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK) dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) për çështjet që ndërlidhen me rëndësinë e monitorimit, këshillimit dhe mënyrën e trajtimit të sfidave dhe fuqizimit të sistemit prokurorial, ishin në fokus të diskutimeve në takimin e parë të kryesuesit të KPK-së, Ardian Hajdaraj, me shefin e EULEX-it, Giovanni Pietro Barbano dhe zëvendësshefen e këtij misioni, Emily Rakhorst.

Me këtë rast, Kryesuesi Hajdaraj falënderoi shefin e EULEX-it, Barbano dhe zëvendësshefen Rakhorst, për vizitën në Këshillin Prokurorial dhe i përgëzoi për mandatin e tyre në krye të këtij misioni të rëndësishëm evropian në Kosovë, si dhe e njoftoi për zhvillimet e fundit lidhur me zbatimin e prioriteteve strategjike, rritjen e efektivitetit, transparencës, llogaridhënies dhe ngritjes së besimit të qytetarëve në sistemin prokurorial.

Nga ana tjetër, shefi i EULEX-it,  Giovanni Barbano, uroi gjithashtu kryesuesin e KPK-së për detyrën e re, duke shprehur gatishmërinë e tij dhe të stafit që drejton për ofrimin e mbështetjes së mëtutjeshme për KPK-në dhe institucionin e Prokurorit të Shtetit përmes rolit monitorues dhe këshillëdhënës në rrugëtimin e përbashkët drejt fuqizimit të sundimit të ligjit në Kosovë në pajtim të plotë me standardet dhe praktikat më të mira të BE-së.

Ndër të tjera, u bë e ditur se, në kuadër të takimit në mes të z.Hajdaraj dhe z.Barbano, për shkak të rëndësisë së madhe të bashkëpunimit në fushën e sundimit të ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar, të dy palët vlerësuan se ekziston vullnet i dyanshëm për të vazhduar dhe për t’u koordinuar aktivitetet e përbashkëta, me qëllim të arritjes së objektivave që ndikojnë në fuqizimin e sundimit të rendit dhe ligjit në Kosovë.