Fjalime - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, mbajtur në Konferencën vjetore të Prokurorëve.

Konferenca Vjetore e Prokurorëve

Është kënaqësi dhe privilegj i veçantë të përshëndes të gjithë pjesëmarrësit në Konferencën e tretë Vjetore të Prokurorëve.

I nderuari President Thaçi,

Të nderuar drejtues të institucioneve vendore dhe ndërkombëtare,

Shkëlqësi ambasadorë,

Të nderuar prokurorë, të ftuar dhe pëfaqësues të mediave,

Sot jemi këtu në një ceremoni të rëndësishme që ka institucioni i organit të akuzës ku të gjithë së bashku jemi mbledhur për t’i diskutuar të arriturat, sfidat por edhe dështimet e sistemit prokurorial në vitin që po e lëmë pas.
Fakti që sot këtë konferencë të prokurorëve të shtetit është duke e mbështetur dhe ndihmuar financiarisht Departamenti i Drejtësisë i SHBA, na jep të drejtë për të besuar se bashkëpunimi ynë në të ardhmen do të japë rezultate konkrete në forcimin e shtetit ligjor.
Para një viti, për herë të parë në cilësinë e Kryeprokurorit të Shtetit ju jam drejtuar nga i njejti vend. Ishte ajo një mundësi që të njihemi më mirë dhe t’i caktojmë objektivat për periudhën e ardhshme. Dymbëdhjetë muaj është periudhë e shkurtër por njëkohësisht edhe e mjaftueshme, brenda të cilës mund të bëhen lëvizje të caktuara por edhe për të rishikuar rezultatet e punës që është bërë, në mënyrë që të marim përgjigjen në pyetjen se: A i kemi realizuar synimet?
Pavarësisht punës së madhe që keni bërë
gjatë vitit të kaluar, kjo nuk do të thotë se është bërë mjaftueshëm, ngase para sistemit prokurorial vazhdojnë të mbesin shumë sfida dhe vështirësi të cilat duhet së bashku t’i zgjidhim.
Të shprehem figurativisht në periudhën që kemi lënë pas kemi treguar se ena në peshoren e perëndeshës Justicia, peshon vërtetë shumë.
Periudha që është para nesh do të jetë gjithnjë e më e vështirë, sfidat që i kemi përballë janë reale, serioze dhe janë të shumta, ato nuk do të kapërcehen me lehtësi dhe në një kohë të shkurtër, por besoj se do të ja dalim sepse ne kemi vendosur që të forcojmë vetëdijen e çdo prokurori për rëndësinë e rolit të tij në përmbushjen e përgjegjësive kushtetuese dhe ligjore. Ajo që kërkohet nga ne është një epokë e re e përgjegjësisë sepse kemi shumë detyra para nesh, shtetit dhe partnerëve ndërkombëtar.
Prandaj nga të gjithë ju prokurorët e shtetit pres angazhim maksimal në luftën kundër krimit të organizuar, terrorizmit dhe korrupsionit, jemi të vetëdijshëm që sfidat që i ka Kosova në luftën kundër këtyre dukurive janë sfida që do të na shoqërojnë gjatë gjithë procesit për anëtarësimin tonë në strukturat e BE. Roli i Prokurorisë, në përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave dhe në drejtim të rritjes së efikasitetit të kësaj lufte është vendimtar.
Jam i vetëdijshëm se barra kryesore në këtë drejtim i bie PSRK, mirëpo unë shpresoj në këtë prokurori dhe kjo shpresë është duke u mbështetur me ngritjen e numrit të mjaftueshëm të akuzave për korrupsion, krim të organizuar dhe terrorizëm, por nga ju pres edhe më shumë pasi që vetëm me rezultate të mira mund ta ktheni besimin e qytetarëve dhe t’i siguroni ata se ne dëshirojmë të krijojmë një shtet ku krimi ndëshkohet.
Jemi dëshmitarë se viti 2016 ishte viti me rezultatet më të mira të PRSK që nga formimi i saj. Kjo prokurori ka rritur bashkëpunimin ndërinstitucional për hetimin e rasteve më të rënda dhe gjithsejt nga kjo prokurori gjatë vitit që lamë pas janë zgjidhur 161 raste. Nën mbikqyrjen e Kryeprokurorit të PRSK, gjatë këtij viti është funksionalizuar edhe data-baza për rastet e shënjestruara dhe nga 33 raste të shënjestruara janë ngritur 25 aktakuza që ne i konsiderojmë të nivelit të lartë, ndërsa 8 raste tjera presim që t’i përfundojmë brenda gjashtë muajve të ardhshëm.
Roli i PSRK është shumë i rëndësishëm prandaj i bëj thirrje Ministrisë së Drejtësisë dhe partnerëve ndërkombëtar të na përkrahin në ndryshimin e kritereve ligjore për emërimin e prokurorëve special me qëllim që të rrisim numrin në këtë prokurori e me këtë edhe efikasitetin në luftën kundër korrupsionit të lartë dhe krimit të organizuar.
Gjatë vitit që lamë pas është folur për mungesë të veprimeve proaktive të prokurorëve në rastet e korrupsionit të nivelit të lartë, mosprocedimit të krimeve të luftës, mungesës së transparencës dhe llogaridhënjes së pamjaftueshme të prokurorëve.
Mund të konstatoj se vitin e kaluar në këtë drejtim janë arritur lëvizje të dukshme, nevoitet të bëhen lëvizje edhe më të mëdha.
Në të ardhmen ju nuk duhet të pritni që nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit t’iu ipen udhëzime për hetime të cilat janë objekt i interesimit të mediave dhe shoqërisë, këtë mund ta bëni edhe vetë duke iu dhënë prioritet rasteve më të rënda. Ju duhet ta dini se prokurorët udhëheqin me hetime dhe besoj se gjatë periudhës vijuese do të dëshmoni se jeni të gatshëm t’i përgjigjeni kësaj detyre.
Sa i përket krimeve të luftës nuk mjafton fakti që jemi të vetëdijshëm që në periudhën e mëparshme prokurorët vendorë nuk kanë pasur kompetencë ekzekutive në trajtimin e këtyre rasteve. Sot trajtimi i rasteve të krimeve të luftës është në kompetencë të prokurorëve vendor. Jemi të vetëdijshëm se do të jetë mjaft vështirë por nga ju në këtë drejtim pres rezultate konkrete.
Qasje serioze duhet të keni edhe në trajtimin dhe zbardhjen e rasteve të cilat janë evidentuar në letrat e Presidentit të Shtetit, në mënyrë që të identifikohen ngjarjet dhe të ndërmiren veprime për të siguruar identitetin e autorëve të këtyre krimeve dhe të njejtit t’i veni para drejtësisë. Gjatë vitit të kaluar është funksionalizuar Departamenti për krimet e luftës, prokurorët ndërkombëtar dhe vendor që veprojnë në zgjidhjen e këtyre rasteve, kanë ndërmarë 62 vendime për fillimin e hetimeve dhe kundër 57 personave është kërkuar urdhërarresti ndërkombëtar.
Kur bëhet fjalë për transparencën jemi dëshmitarë se kemi arritur rezultate të dukshme në baza ditore, nëpërmjet web-faqes së Prokurorit të Shtetit kemi njoftuar opinionin për veprimtarinë tonë si dhe për aktakuzat të cilat kanë qenë në vëmendjen e publikut.
Për të pasur rezultate më të mira në këtë fushë, nevoitet që të rritet buxheti për Prokurorinë e Shtetit në mënyrë që të kemi zëdhënës në të gjitha prokuroritë themelore dhe në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Marrëdhënia profesionale me media por edhe me gjithë opinionin nuk është vetëm obligim por edhe nevojë e institucioneve shtetërore. Sado që këtë e përjetoni si një obligim shtesë duhet të kuptoni se bëhet fjalë për një nevojë të kësaj kohe.
Ne e kuptojmë shumë mirë rolin e mediave, avokatëve mbrojtës dhe shoqërisë civile, ata mund të jenë korrigjuesit dhe matësit më të mirë të punës tonë, mirëpo në disa raste për t’i mbrojtur interesat e veta janë të gatshëm të bëhen mjet domethënës në duart e atyre që dëshirojnë ta shohin të dështuar sistemin prokurorial dhe gjyqësor dhe të rrënojnë edhe ato rezultate të mira që kemi arritur t’i bëjmë me shumë përkushtim, mund dhe sakrificë.
Dua të theksoj se gjatë këtij viti nga të gjithë ju pres më shumë llogaridhënje, paraqitje më të mirë profesionale veçanërisht në sigurimin dhe vlerësimin e provave, duke verifikuar në hollësi të dhënat në kallëzimet penale dhe më pas përpilimi i akuzave të jetë i mbështetur në provatë cilat do të lehtësojnë punën e gjykatave.
Gjatë kryerjes së hetimeve, ju duhet të demostroni karakter të fortë, guxim, integritet dhe në asnjë rast nuk duhet t’i pushoni hetimet apo t’i ngritni aktet akuzuese, pa i vërtetuar saktësisht dhe tërësisht faktet të cilat janë të rëndësishme për marrjen e një vendimi të ligjshëm. E kundërta e kësaj krijon arsye për llogaridhënje dhe dëmton kredibilitetin e sistemit prokurorial.
Vendimet duhet t’i merni brenda afateve ligjore dhe parametrave të arsyeshme kohore. Marja e vendimeve me vonesë kur njerëzit të kenë ikur nga kjo botë, kur lëndët të jenë vjetëruar apo kur sanksionet penale nuk do të kenë pasoja juridike, mund të krijojnë brengosje, pasiguri dhe me të drejtë percepcion për një sistem të korruptuar dhe të pabesueshëm.
Nga kryeprokurorët e prokurorive themelore dhe nga Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, pres që edhe gjatë këtij viti maksimalisht të bashkëpunoni me faktorët që mund të kontribojnë në përmirësimin e punës, veçanërisht me institucionet e zbatimit të ligjit dhe partnerët ndërkombëtar.
Në këtë drejtim, ju duhet të jeni të hapur për bashkëpunim dhe sygjerime, por duhet të dini ta bëni dallimin në mes të mendimit të ekspertit dhe ekperimentit, në mes të nevojave politike dhe kërkesave të drejtësisë, në mes të sygjerimeve qëllimmira dhe ndikimeve të pazbatueshme.
Ju duhet të vazhdoni të bëni detyrën tuaj, në bazë të Kushtetutës, ligjit dhe marrëveshjeve të konfirmuara ndërkombëtare dhe nuk duhet të lejoni askend të jetë viktimë e paragjykimeve por drejtësinë nuk duhet ta braktisni për hirë të askujt.
Në këtë proces do të jemi të hapur për sygjerime të Eulex-it, faktorit vendor dhe ndërkombëtar, që janë duke kontribuar në ndërtimin e sistemit prokurorial dhe në fuqizimin e përgjithshëm të sundimit të ligjit. Shfrytëzoj rastin të falenderoj prokurorët e Eulex-it dhe faktorin tjetër ndërkombëtar për bashkëpunimin e shkëlqyeshëm në forcimin e sundimit të ligjit.
Se jemi partnerë kredibil me faktorin ndërkombëtar e vërteton edhe fakti se gjatë vitit 2016, Prokuroria e Shtetit e Republikës së Kosovës është pranuar dhe antarësuar në Asociacionin Internacional të Prokurorëve, gjë që do të mundësojë prokurorëve të vendit tonë të shkëmbejnë informacionet, përvojat dhe praktikat më të mira në nivel ndërkombëtar.
Me qëllim të luftës efikase kundër korrupsionit, gjatë vitit të kaluar në kuadër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë ka filluar punën edhe Njësiti për luftën kundër korrupsionit dhe krimeve ekonomike si dhe ka filluar zbatimi i planit të veprimit për ngritjen e efikasitetit të sistemit prokurorial për periudhën 2016-2018. Si Kryeprokuror i Shtetit mund të konstatoj se në këtë drejtim kemi arritur përparim të dukshëm, ashtu që vetëm gjatë këtij viti kemi zgjidhur 464 raste të korrupsionit me 1166 persona që kanë të bëjnë me keqpërdorimin e detyrës zyrtare.
Lufta kundër dukurive negative është një detyrë që kërkon patjetër bashkërendim të veprimeve me institucionet tjera, duke i falenderuar bashkëpunimit të mirë me Policinë e Kosovës, AKP dhe kryeprokurorët e prokurorive themelore për herë të parë pas 16 viteve kemi arritur që nëpërmjet të procedurave penale t’i largojmë uzurpatorët nga pronat e uzurpuara dhe t’ju tregojmë konkretisht qytetarëve të këtij vendi se të gjithë ata që shkelin ligjin do të ballafaqohen me drejtësinë.
Në Nëntor të vitit 2016 kemi funksionalizuar Zyren për përgjimin e telekomunikimeve, në kuadër të Zyres së Kryeprokurorit të Shtetit dhe për një kohë të shkurtë në këtë drejtim kemi filluar të arrijmë rezultate konkrete në sigurimin e provave në rastet më të rënda.
Në këtë segment nga të gjithë ju pres që t’i aplikoni drejtë dispozitat ligjore për zbatimin e masave të fshehta dhe t’i respektoni të drejtat kushtetuese dhe ligjore të personave ndaj të cilëve zbatohen masat e përgjimit.
Qelësi i suksesit kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë është marrja dhe sekuestrimi i pasurisë së fituar me vepër penale, në këtë drejtim prokurorët e shtetit së bashku me prokurorët e Eulex-it gjatë vitit 2016, kanë sekuestruar rreth 60 milion euro, ndërsa kemi konfiskuar 1.4 milion euro. Me këtë jo vetëm që kemi ndëshkuar krimin por në disa raste edhe e kemi bërë të pafrytshëm duke ua marur fuqinë ekonomike dhe duke i dobësuar grupet kriminale.
Prokuroria e Shtetit edhe gjatë këtij viti ka treguar që është një partner kredibil kur është fjala për bashkëpunimin regjional dhe ndërkombëtar në luftën kundër terrorizmit. Me bashkëpunim të mirë me Policinë e Kosovës, AKI dhe ndihmën e partnerëve ndërkombëtar kemi ndërmarë veprime për identifikimin e grupeve kriminale dhe për parandalimin e akteve terroriste, vetëm gjatë këtij viti kemi ngritur 27 aktakuza, me 51 persona, për vepra penale që ndërlidhen me terrorizmin. Rezultate e mira në luftimin e terrorizmit, i cili nuk është vetëm në kornizat e një trajtimi nacional por është transnacional kanë ndikuar që Kosova të jetë lider në rajon në këtë drejtim.

Duhet ta kuptoni se për kryerjen e veprave terroriste dhe veprës penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës është e mjaftueshme vetëm ndërmarrja e veprimeve përgaditore, marrëveshja për kryerjen e veprave terroriste ose krijimi i kushteve për kryerjen e këtyre veprave penale dhe nuk është e nevojshme që vepra terroriste të jetë kryer.



Të nderuar pjesëmarrës,
Gjatë këtij viti është diskutuar edhe për korrupsionin brenda institucioneve të drejtësisë, jemi dëshmitarë se në këtë drejtim kemi ndërmarrë veprime të duhura dhe tanimë kemi aktakuza ndaj bartësve të funksioneve gjyqësore dhe prokuroriale.
Është e domosdoshme që brenda kompetencave ligjore kryeprokurorët e prokurorive themelore t’i analizojnë të gjitha ato raste që përmenden në media, që bëhen shqetësuese për publikun, sidomos duhet t’i analizoni ato informacione që kanë të bëjnë me tentativë për të dhënë drejtësi nëpërmjet rrugëve tjera jashtë seancave gjyqësore. Duhet të bëheni të ndërgjegjshëm se nuk mund të ketë më prokurori joefikase, joprofesionale, të influencuar sepse simptomet e këtyre proceseve bëhen shumë të dukshme dhe shqetësuese për qytetarët e vendit tonë.
Gjatë vitit të kaluar ka pasur raste mjaft të rëndësishme që kanë futur në debat edhe subjektet politike me institucionin e Prokurorit të Shtetit. Në të gjitha këto situata mendoj se është e rëndësishme që të jemi objektiv dhe mos të lejojmë askend të jetë viktimë e paragjykimeve dhe drejtësinë të mos e braktisim për hirë të askujt.
Udhërrëfyes i punës së Prokurorit të Shtetit duhet të jenë dispozitat ligjore dhe normat kushtetuese e jo servilizmi ndaj cilësdo adresë. Ju jeni të pavarur në punën tuaj dhe këtë duhet ta tregoni edhe konkretisht nëpërmjet të përgjegjësisë që keni për zbatimin e drejtë të ligjit.
Zgjedhja e kryeprokurorëve në prokuroritë themelore nuk ka hasur në mbështetjen e të gjithëve brenda sistemit prokurorial. Këtë as që e kam pritur sepse jemi shoqëri e cila vështirë mësohet me ndryshime.
Gjej rastin t’i falenderoj të gjithë ata kryeprokurorë që gjatë një viti e gjysmë kanë punuar në ekipin tim dhe kanë dhënë kontributin të madh brenda sistemit prokurorial, i ftoj që të vazhdojmë të punojmë si një ekip i përbashkët. Ndërsa kryeprokurorët e posa emëruar i inkurajoj që të fillojnë punën me përkushtim, me seriozitet dhe të mos vlerësojnë vetëm momentet kur emërohen në një pozicion të caktuar.
Kërkoj nga ju që t’i përkushtoheni çështjeve të rëndësishme në punën tuaj, çështjeve parimore dhe të ju largoheni sa më shumë çështjet sekondare, që kanë të bëjnë me interesa të vogla që i hasim edhe brenda sistemit tonë. Nëse dikush nga ju e kupton ndryshe funksionin e vet dhe nuk është i gatshëm për të ndryshuar këtë vetëdije, ndoshta është më mirë që vetë të ndryshojë profesionin.

Në fund, besoj se qëllimi i të gjithë neve duhet të jetë funksionimi i sistemit sipas standardeve më të larta dhe secili nga ne në mënyrë individuale të japë kontributin e plotë që ky qëllim të realizohet. Duke shpresuar se të gjithë prokurorët që kanë arritur në instancat më të larta të sistemit prokurorial por edhe brezat e rinj të cilët janë duke demonstruar profesionalizëm dhe karakter të fortë, në periudhat e ardhshme do të dëshmojnë se i ndajmë vlerat e njejta që si rezultat do të kemi rritjen e besimit të publikut në sistemin prokurorial.

Ju falenderoj për vëmendje dhe ju uroj të punë të mbarë në këtë konferencë!