Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Kërkohet paraburgim ndaj të pandehurit S.T. për kultivim, blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve si dhe për armëmbajtje pa leje


Prizren, 04 tetor 2021 -  Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit S.T., për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale si në vijim: “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimëve të kanabisit” dhe veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas kërkesës, i pandehuri S.T., nga data e pavërtetuar e deri më tani, pa autorizim shpërndan, shet, transporton, dorëzon, ndërmjetëson, dërgon në transit, substanca apo preparate të cilat me ligj janë shpallur si narkotikë, në atë mënyrë që fillimisht i pandehuri, blen substanca narkotike të llojit “mariuhanë”, në sasi të mëdha rreth 400 kg në javë, nga disa persona nga Republika e Shqipërisë, të njëjtën e sjell në Republikën e Kosovës, përmes rrugëve ilegale, ku më pas e shet në qytete të ndryshme të Republikës së Kosovës.

Me këtë i pandehuri S.T., ka  kryer veprën penale  “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”nga neni 267 paragrafi 2 të KPRK-së.
Po ashtu, i pandehuri S.T., me datë të pacaktuar deri më datë 03.10.2021, në periudhën kohore 18:10-22:00 në vend të fshehtë afër fshatit Tupec-Prizren rreth lumit Drini i Bardhë tek vendi i quajtu” Lake” i pandehuri pa autorizim kultivon bimë “kanabis sativa” si dhe pas kontrollimit të shtëpisë  dhe bastisjes së shtëpisë së tij në kulm është gjetur se i njëjti posedon substanca psikotrope të dyshuar si i llojit “marihuanë” me qëllim të shitjes. 
Me këtë i pandehuri ka kryer veprën penale “Kultivimi i bimës së hashashit, shkurres, të kokainës ose të bimëve të kanabisit” nga neni 272 paragrafi 1 dhe 2  të KPRK-së.
Gjithashtu, me datë 03.10.2021 në fshatin Gjonaj, gjatë një bastisje në shtëpinë e të pandehurit i njëjti mban në pronësi dy pushkë gjuetie dhe 15 fishekë të kalibrit 12 mm., dhe një pistoletë, në kundërshtim me ligjin e zbatueshëm lidhur me armët. 
Me këto veprime i pandehuri S.T., ka kryer veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 366 paragrafi 1 të KPRK-së.

I pandehuri S.T., me vendim të prokurorit të shtetit gjendet nën masën e ndalimit 48 orësh, dhe për të njëjtin Prokuroria Themelore në Prizren, do të vazhdoj me veprime të tjera procedurale.