Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Diskutohet zbatimi i Sistemit Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL) në prokurori dhe gjykata

Prishtinë, 2 korrik 2019 – Kryesuesi i Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK), Bahri Hyseni, ka pritur në takim eksperten e jashtme, të angazhuar nga administrata gjyqësore e Norvegjisë për Projektin TIK-SMIL, Amra Jasareviq, takim ky, në të cilin morën pjesë edhe Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), si dhe anëtarët e të dy këshillave. 

Qëllimi i takimit ishte diskutimi i procesit të zbatimit të Projektit TIK-SMIL dhe arritja e objektivave të përcaktuar, pastaj largimi i regjistrave manualë nga puna e të gjitha prokurorive dhe gjykatave të vendit, si dhe regjistrimi i lëndëve të vjetra në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Lëndëve (SMIL).

Kryesuesi i Këshillit Prokurorial, Bahri Hyseni, ka theksuar se Projekti TIK-SMIL ka avancuar punën e përditshme, duke ofruar shërbime me kohë dhe në mënyrë të saktë për shumë segmente të rëndësishme, siç janë, në radhë të parë, statistikat e të dhënave të ndryshme.  

Me këtë rast është diskutuar edhe për organizimin e konferencave bilaterale në rajon, me qëllim të identifikimit të praktikave të mira për vlerësimin e performansës së prokurorëve dhe gjyqtarëve, të cilat do të ndikonin në fuqizimin e një sistemi të qëndrueshëm prokurorial dhe gjyqësor, me anë të një kornize të qartë vlerësuese.

TIK-SMIL-i është projekt i përbashkët i Këshillit Prokurorial dhe Këshillit Gjyqësor, i financuar nga Qeveria e Norvegjisë, kurse synimi kryesor i futjes së tij në përdorim është rritja e efikasitetit, transparencës, llogaridhënies dhe besueshmërisë, me ç’rast prokuroritë dhe gjykata do të jenë shumë më efikase në procedurat dhe afatet kohore për zgjidhjen e lëndëve.