Lajm - Psh | Sistemi Prokurorial i Republikës së Kosovës
left stars
right stars

Fjalimi i Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, i mbajtur sot gjatë publikimit të raportit vjetor të monitorimit të gjykatave për vitin 2015

Prishtinë, 13 maj 2016 - Është kënaqësi e veçantë për mua të jem sot në këtë tryezë në të cilën po flitet për të gjeturat dhe të arriturat e Gjyqësorit për vitin 2015.

Dëshiroj të ju falenderoj për punën që keni bërë dhe që keni evidentuar të gjitha të metat brenda sistemit gjyqësor dhe prokurorial  dhe shpresoj se ato nuk do të përsëriten në të ardhmen.

Ne jemi të vetëdijshëm se sistemi gjyqësor mund të përmirësohet vetëm nëpërmjet të përpjekjeve të përbashkëta për përballimin e sfidave që ka vendi ynë në forcimin e shtetit ligjor dhe sundimit të ligjit.

Prokurori i Shtetit gjatë vitit 2015 ka qenë më i organizuar, më i përgaditur, më i fortë, me numër më të madh të prokurorëve dhe më i vendosur për tu ballafaquar me sfidat në zbatimin e kompetencave të caktuara me Kushtetutë dhe ligj.

Sfidat që i kemi pasur gjatë vitit 2015 ishin të shumta, reale dhe serioze, ato nuk janë kapërcyer me lehtësi por e rëndësishme është që ne kemi zgjedhur ndryshimin si formë të funksionimit, duke forcuar vetëdijen e çdo prokurori për rolin e tij në shoqëri.

Mendoj se çdo gjë është më e lehtë kur nga monituruesit evdentohen elementet negative të sistemit, dhe objektivi ynë duhet të jetë që këto dobësi në të ardhmen t’i eliminojmë.

Dëshira jonë është që të mos bëjmë gabime dhe detyrat tona t’i kryejmë në nivel të lartë profesional. Gjykatat dhe prokuroritë edhe përkundër disa të metave i kanë kryer detyrat e veta ashtu siç dinë më së miri t’i bëjnë, por ndodhë që gjatë punës të bëjnë edhe gabime të cilat janë normale dhe kanë mundësi të përmirësohen në instancat e nivelit më të lartë.

Prokurorët me kompetencat e reja ligjore janë kthyer në Dominus Litis (në zotër të procedurës penale), duke funksionuar në bazë të pesë principeve:

-    E para- është metoda proaktive e hetimeve që do të thotë se prokurorët më nuk presin të  reagojnë atëherë kur dikush bën kallëzim penal, por që në zërin  e parë që dëgjon apo mëson diçka, reagon dhe merr masa për verifikim duke dhënë urdhëra të qarta e të duhura Policisë dhe organeve tjera shtëtërore.

-    Principi i dytë - ka të bëjë me çështjet multidisciplinore, që do të thotë se hetimet janë çështje tejet të komplikuara dhe për t’i zgjedhur ato nuk mjaftojnë vetëm njohuritë juridike, domosdoshmërisht nevojiten njohuri të veçanta profesionale nga ekspertët financiar, ekpertët IT, ekspertët e ndërtimatrisë, etj.... Për këtë është e nevojshme që shteti të sigurojë buxhet të mjaftueshëm që këta ekspertë të angazhohen.


-    I treti – luftën kundër krimit nuk mund ta bëjë vetëm prokuroria por nevojitet edhe bashkëpunimi ndërmjet institucioneve, e domosdoshme është të përfshihen edhe agjensionet tjera si policia, administrata tatimore, dogana, inteligjenca financiare etj. Kur të bëhet ndonjë aksion atëherë saktësisht duhet të dihet kush çfarë bën, ku shkon, kush jep urdhëra. Kjo është si të thuash në një sistem i rregulluar ushtarak, pra duhet të dihet me saktësi e kujt është përgjegjësia dhe në rast moszbatimi dihet cilat janë konsekuencat.

- Postulati i katërt është bashkëpunimi ndërkombëtar, pa këtë bashkëpunim është e vështirë të sigurohen informacionet dhe të ndiqen gjurmët e parave të cilat transferohen në shtetet e huaja.

-    Dhe së fundi qëllimi final është të vijmë në hetimin e krimeve financiare, për të hetuar dhe ndjekur rrugën e parave dhe si mund ti kthejmë mbrapa ato para të cilat janë vjedhur nga buxheti dhe populli i Kosovës. Më pak rëndësi ka se kush sa është dënuar dhe sa do të qëndrojë në burg, rëndësi duhet të ketë që paraja të kthehet aty nga është marrur, sepse nëse korrupsionin dhe krimin e organizuar godasim në xhep dhe ua marrim paratë, ata më nuk  do të kenë fuqi dhe ndihen të margjinalizuar, në këtë mënyrë kryrësit e veprave bëhen më të parrezikshëm dhe të parëndësishëm.

Gjatë vitit 2015 secili prokuror në Kosovë ka tejkaluar normën e paraparë orientuese dhe kjo dëshmon për një punë efikase dhe rezultate të mira mund të kthejmë besimin e qytetarëve në institucionet e drejtësisë.

Në Prokurorinë e Shtetit funksionin e prokurorit të shtetit e kanë ushtruar 186 prokurorë të Shtetit në 7 prokuroritë themelore, të Apelit dhe PRSK. Vetëm  gjatë vitit të kaluar janë pranuar në punë 25 412 kallëzime penale, ndërsa kanë arritur t’i zgjidhin 25 183 lëndë ose 99.1%.

Për herë të parë është nxjerrë Strategjia për Procedurat Alternative, për zgjidhjen e rasteve të vogla dhe për dhënjen e drejtësisë në një kohë të arsyeshme në pajtim me Konventën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut.

Është krijuar Departamenti për krimet e luftës,

Është rritur numri i prokurorëve për 13,

Për herë të parë është krijuar Komisioni në kuadër të Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, për të përcjellur rastet nga mediat, deri më tani janë inicuar 13 raste pas raportimit të mediave.

Është nxjerrë strategjia për luftën kundër korrupsionit.

Procedurat standarde të veprimit kanë vazhduar të zbatohen për shënjestrimin e rasteve. Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës i ka zgjedhur 149 lëndë.

Është nxjerrë Rregullorja për bashkëpunimin institucional,

Janë sekuestruar mbi 20 milion e 500 euro,

Trembëdhjete prokurorë gjatë procedurës disciplinore janë sanksionuar, një është shkakruar, një kryeprokuror është suspenduar, dy prokurorë janë suspenduar dhe 9 prokurorë të tjerë janë dënuar me gjobë dhe qortim.